Obama i sqaron Hollandes programin amerikan të përgjimit


E martë, 22 Tetor 2013

Uashington, 22 tetor – Presidenti amerikan Barak Obama zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Francës Francois Hollande, për të diskutuar zemërimin e francez në lidhje me pohimet se Agjencia Amerikane e Sigurisë Kombëtare ka përgjuar miliona biseda telefonike të qytetarëve francezë.Presidenti Obama, siç raporton VOA, i tha presidentit francez se Shtetet e Bashkuara po rishikojnë mbledhjen e informacionive nga agjencitë e saj të zbulimit për të siguruar vendosjen e një balance mes sigurisë dhe privatësisë.

Ky veprim erdhi pasi Shtëpia e Bardhë u ankua se disa pohime të shtypit francez mbi aktivitetet e shërbimeve amerikane të zbulimit ishin ” shtrembëruar”.

Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius thirri ambasadorin e amerikan në Francë për të pyetur në lidhje me një artikull në gazetën Le Monde rreth shkallës së gjerë të përgjimit të shtetasve francezë nga ana e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.

Në artikullin e gazetës Le Monde thuhet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka mbledhur dhjetëra miliona regjistrime të bisedave telefonike të qytetarëve francezë gjatë një periudhe një mujore, nga dhjetori i vitit 2012 deri në janar të vitit 2013. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, i quajti përgjimet që thuhet se janë bërë nga agjencia amerikane e zbulimit “krejtësisht të papranueshme”.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u pyet për këtë çështje dje kur ai mbërriti në Paris për bisedime mbi Lindjen e Mesme. Ai nuk pranoi të fliste rreth hollësive të akuzave, por tha se Shtetet e Bashkuara do të diskutojnë këtë çështje privatisht me zyrtarët francezë dhe aleatët e tjerë. Ai tha se mbrojtja e sigurisë së njerëzve në botën e sotme është shumë e komplikuar dhe sfiduese.

Meksika ka reaguar me zemërim të hënën rreth një artikulli të botuar në të përjavshmen gjermane Der Spiegel, në të cilin Snowden akuzonte Agjencinë e Sigurisë Kombëtare se kishte përgjuar komunikimet me e-mail të ish-presidentit meksikan Felipe Calderon. Ministria e jashtme e Meksikës e quajti këtë praktikë “të papranueshme, ilegale dhe në kundërshtim me ligjin meksikan dhe atë ndërkombëtar. “

Etiketa: , , ,
Të fundit