E shtunë, 16 Nëntor 2013
Prishtinë, 16 nëntor – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli i ka dërguar selam ministrit të Xehetarisë dhe të Planit Hapësinor të Serbisë, Millan Baçeviq, se po bën vetëm deklarata të kota për pretendimet e Serbisë për Trepçën.
Ministri kosovar i ka thënë Epokës së Re se ligjet e Kosovës i mbrojnë të gjitha ndërmarrjet dhe që dihet ndërkombëtarisht se ato janë të Kosovës. “Sa të duan le të japin deklarata rreth pasurisë së Kosovës, apo edhe Kombinatit Xehetar Metalurgjik ‘Trepça’, ajo është pasuri e Kosovës dhe ne fare nuk i marrim parasysh ato deklarata që bëhen çdo ditë”, ka thënë ai.
Një marrëveshje për bashkëpunim afarist-teknik ndërmjet Trepçës dhe kompanisë amerikane New Generation Power do të mund të konkretizohet deri në fund të këtij viti, ka shkruar e përditshmja serbe “Novosti”, duke cituar ministrin serb Baçeviq. Sipas tij, propozimi mbi partneritetin strategjik është gati, por kanë mbetur vetëm që të dy palët ta harmonizojnë formën përfundimtare të atij dokumenti.