E mërkurë, 1 Nëntor 2017
Prizren – Kandidati Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se po zhvillon takime me të gjitha partitë politike para balotazhit të 19 nëntorit.
Haskuka e ka konfirmuar se me LDK-në janë dakorduar në disa pika, por që marrëveshje konkrete ende nuk ka.
“Me LDK-në jemi dakorduar në disa pika, dhe normalisht që na duhen më shumë takime që të arrihet një marrëveshje. Ka zhvillime pozitive, por marrëveshje diçka konkrete ende jo”, ka thënë kandidati i VV-së për kryetar të Prizrenit.
Haskuka gjithashtu ka bërë të ditur se takime me zyrtarë të LDK-së dhe të partive tjera pritet të ketë edhe gjatë ditëve në vijim. Mytaher Haskuka në balotazh do ta ketë përballë kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj. Totaj në raundin e parë ka siguruar 29.66% të votave, kurse Haskuka ka pasur 22.30%.
Në garë për Prizrenin kanë qenë edhe Hatim Baxhaku nga LDK, Lulzim Kabashi nga AAK e Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën. Balotazhi do të zhvillohet më 19 nëntor.
Etiketa: Aktuale, LDK, Mytaher Haskuka, Prizren, Vetëvendosje