E premte, 13 Dhjetor 2013
Ibrahim Rugova ishte në rrugën e kombit derisa ishte lehtë. Si filloj të vështirësohej puna, Rugovës ngadalë dalë ju shishmua rakia, duhani, konjaku, kolltuku dhe filloi të harrojë rrugën e kombit, kurse ata që ishin të vendosur që të vdisnin për kombin e vazhduan rrugën. Kështu tha veprimtari i njohur çështjes kombëtare, Adem Demaçi e ka quajtur ish presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, një jo hero, frikacak dhe që nuk ka vdekur për kombin, edhe pse kishte mundësi.
“Ibrahim Rugova asnjëherë nuk ka vdekur për kombin, ka përtuar të vdesë. Ka qenë burrë i urtë i mirë, por ka qenë frikacak i madh, kështu që këqyrni bëhuni të mençur, por jo edhe frikacak, se e merrni vetën në qafë. Ka pasur mundësi Ibrahim Rugova, ka pasur shansë t’i bashkohet luftës. Ai kurrë asnjëherë nuk patë fuqi të shkoj t’i nderonte heronjtë tonë në Prekaz. Ai thoshte ‘po, po do të shkoj’. Por njerëzit duhet t’i vlerësoni nga veprat, jo nga fjalët. Dikush është i interesuar që nga anti-heroi të bëj hero, pse, sepse ai ka thënë rrini mirë, mos bëni zhurmë se për 24 orë na mbysin. Kështu ka thënë nëpër ato konferencat që i mbante. Bile atij i pengonin edhe demonstratat e studentëve, është munduar t’i ndal edhe demonstratat e 1 tetorit 97’, sepse ishte frikacak, kjo ishte e meta e tij. Mirëpo në politikë kur je frikacak, mos u përziej, tha Demaçi.
Madje sipas Demaçit, krejt dallaverargjitë u bënë me Rugovën, pasi të gjithë e shtrinin qafën, pasi ishin mësuar. Demaçi u shpreh se Rugova e la popullin në luftë, e shkoj vetë në Itali.
“Për ta vlerësuar dikë shikojani punët. Ai e la popullin e vet këtu, e mori aeroplanin e armikut, hipi me ata, shkoi në Gjermani. Gjermanët e përzunë, pastaj shkoi në Itali. Shkoj në Beograd dhe tha ta ndalim luftën. Në vend që të thotë ta vazhdojmë luftën se pa atë luftë nuk fitonim. Do të thotë, ka pasur skandale aq shumë i ndjeri, sa që s’ke çka t’i thuash veçse anti hero. E nëse doni ta gënjeni veten mund ta gënjeni, por duhet të flasim të vërtetën”, tha me tutje Demaçi.
Ai tha se hipokritët e bëjnë Rugovën hero, i bëjnë përmendore, pasi nuk kanë luftuar, por kanë ikur, janë fshehur, e që me këta nuk fitohej liria.
Demaçi, me tutje gjatë ligjëratës me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, ka folur edhe për Nelson Mandelën, i cili konsiderohet si luftëtari më i madh i njerëzimit për të drejtat e njeriut.
“Po kam dëshirë që të flas për njeri shumë të madh. Po ndahemi nga ai. Po ndahet bota. Janë mbi 90 shtete që po marrin pjesë në lamtumirën e tij. Nuk janë krejt ato në rrugën e të drejtave të njeriut e demokracisë, e drejtësive të nevojshme, mirëpo, sikur te ne që kemi të tillë që nuk i besojnë as zotit as askujt, e dalin në radhë të parë nëpër xhami, për t’i treguar dikujt se edhe unë jam këtu”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për rrugën që duhet ndjekur, duke thënë se vetëm për kombin duhet vdekur, pasi nuk gjë më mirë. Demaçi tha se Kosovën e kanë serbizuar para syve dhe para pranisë së francezëve që ishin pjesë e forcave të NATO-së dhe BE-së. E serbizuan pjesën veriore, e ri-okupuan një të katërtën e kësaj Kosove të vogël, e tash po shesin mend me demokraci, tha Demaçi.
Megjithatë, sipas tij, me të gjitha të metat, me të gjitha padrejtësitë, me të gjitha vështirësitë, historikisht populli i Kosovës është më mirë së kurrë ndonjëherë. Numerikisht më shumë se kurrë ndonjëherë. Me të dijshëm se kurrë ndonjëherë, por jo mjaftë të dijshëm sa të kuptohet se vetëm organizimi dhe bashkimi rreth idesë së kombit, vetëm ajo është e drejtë, vetëm ajo i jep frytet.
“Mos e lëshoni rrugën e kombit. Mos të shkoni për disa interesa,’të hyjë në këtë parti se ma gjejnë një punë, më bëjnë një ministër’, por mbajeni interesin e kombit, dhe vetëm për kombin paguhet që të vdesësh. Për të gjitha këto, nuk paguhet që të vdesësh, e të vdesësh për kombin besoni se nuk është asgjë. Unë kam vdekur për kombin dhe prandaj e bëjë një jetë krejtësisht pa brenga, strese. Unë flas lirisht, me ata që kam qenë në luftë, me ata që kam qenë në burgje, kur e kanë gabim”, tha Demaçi.
Veprimtari Demaçi tha se nënës së tij, nënës Nazife, kur kishte dal prej burgut herën e parë, i kishte thënë asaj:, ‘se po i duhet prapë të shkoj, por mos kujto se tash mund të kaloj me tri vjet apo katër vjet’. Por, sipas tij, nëna i kishte thënë:, ‘nëna Nazife një ditë do të vdes, por ne kemi edhe një nënë tjetër, Nënën Shqipëri kapu për të, se nëna Nazife e kalon qysh të mundet’.
Demaçi godet përsëri: Mandela ishte hero e jo Rugova
Veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi ka fol sërish për figurën e ish presidentit të ndjerë të Kosovës Ibrahjim Rugova. Ai ka ripërsëritur se Ibrahim Rugova nuk ishte hero dhe nuk ka vdekur për kombin.
Megjithëse jo të njëjtën gjë e mendon për ish presidentin e ndjerë të Afrikës Jugore, Nelson Mandela. Sipas tij, Mandelës i takon titulli hero e jo Rugovës. “Nelson Mandelen, e vlerësoj si hero të njerëzimit”, ka thënë ai.
Ai tha se Rugova nuk pati fuqi asnjëherë të nderojë heronjtë në Prekaz. Demaçi tha se asgjë nuk i ka bërë Rugova dhe nuk ka asgjë personale, por është i prirur ta thotë të vërtetën.
Rugova e la popullin e vet në Kosovë, shkoi në Itali, pastaj edhe në Serbi u bëri apel që të ndalet lufta, dhe sipas Demaçit këtij nuk i thonë hero.
Krejt këto komente, Demaçi i bëri me rastin 10 dhjetorit të ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.