E shtunë, 21 Korrik 2018
Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë me dije se autoritete e Beogradit nuk e kanë lejuar Behgjet Pacolli të shkojë në Novi Pazar pas një ftese që ka marrë nga boshnjakët atje.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje dhe indinjatën e saj për vendimin e autoriteteve të Beogradit për të mos lejuar vizitën e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në Novi Pazar”, thuhet në njoftimin për media të ministrisë, transmeton Klan Kosova.
“Republika e Kosovës ka vepruar gjithmonë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit mbi vizitat e zyrtarëve të lartë dhe ka respektuar procedurat e kërkuara. Ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë”.
“Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe çdo shtet e Qeveri duhej ta respektoj atë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektoj gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior”.
“Do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundërdrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fundamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe”.
“Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombësit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vihen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombësit e tyre në Kosovë”.
Më herët këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë se Pacolli pasdite do të niset për Serbi.
Por më pasi përmes një postimi në profilin e tij edhe ai ka treguar se Qeveria serbe ia ka refuzuar kërkesën për vizitë ministrit të Jashtëm, Pacollit.
“Të gjitha këto ne do ti adresojmë te zonja Mogherini dhe autoritetet tjera ndërkombëtare”.
“Mentaliteti shovinist i pushtetit në Beograd nuk mund të lejohet të pengojë progresin euroatlantik dhe paqen në Ballkanin perëndimor”.
Etiketa: Aktuale, Behgjet Pacolli, Boshnjakët, Kosova, Sanxhak, Serbia