E martë, 17 Dhjetor 2013
Turqia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan një marrëveshje me qeveritë e vendeve të BE-së për të kthyer mbrapsht emigrantët e paligjshëm që kalojnë në Evropë nga Turqia. Kjo marrëveshje shënon një lëvizje të theksuar të marrëdhënieve midis Ankarasë dhe bllokut 28-anëtarësh të Bashkimit Evropian.
Në një ceremoni të zhvilluar në Ankara, Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu dhe Komisionerja e Bashkimit Evropian, Cecilia Malmstrom, nënshkruan poashtu një marrëveshje që të fillohen bisedimet për heqjen e vizave për turqit që vizitojnë Evropën.
Turqia, një kandidat për anëtarësim në BE, është urë kaluese për emigracionin e paligjshëm në Europë nga Afrika dhe Lindja e Mesme.
Bisedimet mbi marrëveshjen për të kthyer mbrapsht emigrantët e paligjshëm ishin bllokuar prej vitesh, kryesisht për shkak të mosbesimit turk mbi gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar regjimin e vizave.
Turqia filloi bisedimet për t’u bashkuar me BE-në në vitin 2005, 18 vjet pas aplikimit. Por një seri pengesash politike, veçanërisht mbi ishullin e ndarë të Qipros, si dhe rezistenca e Francës dhe Gjermanisë kundër anëtarësimit të saj në BE, kanë ngadalësuar përparimin.