Krasniqi: Pakicat e teprojnë për vendet e rezervuara


E premte, 7 Mars 2014

Përfaqësimi i komuniteteve pakicë në institucionet e Kosovës, është përfaqësimi më i mirë në të gjitha vendet e Evropës. Kështu është shprehur kryeparlamentari Jakup Krasniqi në një prononcim për Radio Kosovën, i pyetur rreth kërkesës së djeshme të dy ministrave të pakicave, të cilët në mbledhjen e Qeverisë kërkuan që krahas ndryshimeve kushtetuese sa i përket sektorit të sigurisë, të përfshihet edhe propozimi i tyre, e që ka të bëjë me vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicat.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës e quan të jashtëligjshme kërkesën e pakicave që në kuadër të ndryshim-plotësimit të Kushtetutës, të përfshihen edhe kërkesat e pakicave për vendet e rezervuara. Në një prononcim për Radio Kosovën, Krasniqi tha se kërkesat e tyre janë në kundërshtim me dokumentin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit.

“Pakicat nuk kanë të drejtë ta bëjnë kërkesën që janë duke e bërë. Ata i kanë pasur dy mandate me dokumentin gjithëpërfshirës dhe ato dy mandate tani përfundojnë dhe kërkesat e tyre janë të jashtëligjshme dhe që nuk përkojnë me ato të drejta që i kanë pasur me dokumentin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari”, tha Krasniqi, për Radio Kosovën.

Kreu i Kuvendit theksoi se komunitetet në Kosovë janë të përfaqësuara në institucionet e shtetit më mirë sesa në çdo vend tjetër evropian. Këtë kërkesë të pakicave, kryeparlamentari Krasniqi e konsideron të dëmshme për vetë Kuvendin.

“Përfaqësimi i komuniteteve pakicë në institucionet e Kosovës e në mënyrë të veçantë në Kuvend, është përfaqësimi më i mirë në të gjitha vendet e Evropës, duke përfshirë edhe vendet e BE-së dhe konsiderojmë se kërkesat e tyre që të vazhdohet me vendet e rezervuara, jo të garantuara, është në dëm të funksionimit demokratik të legjislativit”, tha Krasniqi.

Të fundit