Rreth 8 milionë euro grante për kulturën në Ballkanin Perëndimor


E hënë, 13 Shkurt 2023

TIRANË – Të gjithë aktorët e industrisë kreative, artistë, operatorë kulturorë dhe mediatikë lokalë kanë sot një mundësi më shumë për mbështetje.

Nën praninë e përfaqësuesve të European Union in Albania, UNESCO-s, Ambasadës së Britanisë së Madhe, Italisë, Cooperazione Italiana dhe British Council u hap thirrja për mbështetje përmes grantesh, “Culture and Creativity for the Western Balkans”.

Lajmin e dha ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes një postimi në rrjetet sociale. Margariti tha se, Bashkimi Europian ka vënë në dispozicion një buxhet prej 8 milionë eurosh për zhvillimin e industrisë kreative në vende si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Kjo thirrje i bashkëlidhet politikave të Ministrisë së Kulturës për të mbështetur skenën e pavarur artistike, artizanët dhe industrinë kreative.

Çdo projekt mund të mbështetet me një fond prej 80 mijë eurosh dhe kohëzgjatja e projektit mund të jetë 3-18 muaj.

Afati i fundit i dorëzimit të aplikimeve është data 31 mars 2023./atsh

Etiketa: , , ,
Të fundit