E martë, 21 Shkurt 2023
PRISHTINË – Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen me 27 shkurt në Bruksel.
Në këtë takim ata do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Lidhur me këtë Kurti është pyetur nga gazetarët, i cili ka thënë se pret të ketë diskutime të mëtutjeshme lidhur me propozimin evropian.
Për Asociacionin, ai ka thënë se janë pesë fjali të preambulës me 10 nene, duke shtuar se beson që do t’i përmbahen propozimit që kanë marrë dhe jo interesit të njërës palë.
“Janë pesë fjali të preambulës me 10 nene,besoj që do t’i përmbahen propozimit që kanë marrë dhe jo interesit të njërës palë. Pas të hënës do të mund të dimë se çka e ku”, ka deklaruar Kurti.
Herën e fundit kur u takuan në Bruksel, në nëntor të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bartën me vete tensione dhe pasiguri lidhur me përdorimin e targave serbe në veri të Kosovës.
Në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, ata do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Javë më parë, Kurti u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Prishtinës që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje që po rrit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.
Kurti, gjatë një interviste për Associated Press, tha se në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit.
Ai theksoi se Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë.
Kurti tha se nëse ata e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, “ata do të jenë më demokratikë, më evropianë”.
Më 2 shkurt, Kurti ia ka prezantuar deputetëve në Kuvend gjashtë pikat e tij, me plotësimin e të cilave “do ta konsideronte” pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kushti i parë i tij është që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Kushti i dytë i Kurtit është që Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale.
I treti është që “Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”.
Kushti numër katër i Kryeministrit është që “Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.
I pesti; Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
Dhe kushti i fundit është që “Presidenti i Serbisë t’i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013”./Telegrafi
Etiketa: Aktuale, Albin Kurti, bisedimet, Kosova, Serbia