E enjte, 3 Tetor 2024
PRISHTINË – Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA), kanë lansuar Programin “Arsim i Lartë dhe Hulumtim i Qëndrueshëm në Kosovë-ShER”, i cili do të zbatohet gjatë tri viteve të ardhshme dhe synon të prekë aspekte thelbësore të arsimit të lartë dhe të sjellë rezultate pozitive dhe të dobishme.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, projekti është hartuar duke marrë parasysh nevojat aktuale dhe kërkesat konkrete të arsimit të lartë në Kosovë, duke përfshirë edhe reformat e rëndësishme në këtë sektor.
Nagavci ka theksuar se, programi ShER do të mbështesë proceset si, financimi i Institucioneve të Arsimit të Lartë në bazë të performancës, rishikimi dhe përmirësimi i statuteve të IAL dhe harmonizimi i rregulloreve, implementimi i Programit Kombëtar të Shkencës etj.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka bërë të ditur se, gjatë këtij mandati Qeveria e Kosovës ka shënuar një sërë arritjesh me rëndësi në fushën e arsimit të lartë dhe hulumtimit, duke përfshirë: miratimin e Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe rikthimin e kësaj Agjencie si anëtare e asociuar në ENQA; miratimin e Programit Kombëtar të Shkencës; miratimin e UA për financimin e IAL bazuar në performancë; miratimin e Statutit të ri të Universitetit të Prishtinës dhe arritje të tjera të rëndësishme, të cilat avancojnë cilësinë në arsimin e lartë.
Nagavci ka shprehur mirënjohjen në emër të Qeverisë së Kosovës për shtetin e Austrisë, për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha drejtimet, sidomos në arsim, ndërsa ka uruar shefen e re të Zyrës së ADA-s në Kosovë, Rita Glavitza për marrjen e detyrës.
Ambasadori Austriak në Kosovë, Georg Schnetzer ka falënderuar Ministrinë e Arsimit për bashkëpunimin e mirë ndër vite me ADA-n. Schnetzer ka rikujtuar mbështetjen e Qeverisë së Austrisë në arsimin, për të cilën ka thënë se përveç privilegj është edhe përgjegjësi, ndërsa ka shtuar se projekti i mëparshëm Heras Plus ka qenë edhe një lloj institucioni për arsimin në Kosovë.
Etiketa: Arsimi, Kosovë