E diel, 15 Qershor 2025
Forcat izraelite kanë goditur depon e naftës Shahran pranë kryeqytetit iranian, Teheran, si dhe një impiant më të vogël në jug të qytetit, raportoi të shtunën agjencia shtetërore iraniane e lajmeve ISNA.
Sipas një korrespondenti të Anadolu, shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në pjesën perëndimore të Teheranit gjatë zhvillimit të sulmeve.
Këto goditje janë pjesë e operacioneve të vazhdueshme ushtarake të Izraelit kundër objektivave iraniane, të cilat kanë nisur që në agim të së premtes.
Në orët e para të së premtes, forcat izraelite sulmuan objektiva iraniane, duke përfshirë impiante bërthamore dhe raketore, si dhe duke vrarë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë. Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa balistike ndaj disa zonave në territorin izraelit. /mesazhi