Sprova e Ibrahimit a.s. për therjen e të birit, Ismailit a.s.


E premte, 20 Qershor 2025

“Vërtet, Ibrahimi ka qenë shëmbëlltyrë e të mirave, adhurues i Allahut, besimtar i drejtë dhe nuk ka qenë nga idhujtarët”. (En Nahl,120)
Historitë e të gjithë pejgamberëve janë mësime nga të cilat mund të nxjerrim shembuj dhe mësime dhe ato t’i kemi si udhëzues në jetën tonë. E historia e Ibrahimit a.s. është e përshtatshme për të gjitha moshat. Kjo, pasi Kurani ka përshkruar të gjitha etapat e moshës së tij. Ata që interesohen për jetën e tij, këtë do ta mësojnë që nga mosha 16 vjeç e këtij pejgamberi. Çfarë bënte në këtë moshë? Cilat ishin gjërat që e shqetësonin më tepër? Si sillej? Si u hodh në zjarr, pikërisht në këtë moshë? Martesa me Saran dhe Haxheren dhe si ishte ajo martesë? Periudhë e gjatë deri në pleqëri pa fëmijë? Dhe sprova e madhe nga ana e Allahut të Madhëruar me Ismailin a.s..
Historia e këtij pejgamberi, Ibrahimit a.s., ka një qëllim tjetër tepër të rëndësishëm: të ndjekim dhe të pasojmë traditën dhe porositë e tij, sepse është i vetmi pejgamber, pas Muhamedit a.s., traditën dhe porositë e të cilit detyrohemi t’i ndjekim.

Pozita dhe vlera e tij tek Zoti xh. sh.

Gjëja e parë është se ai ndryshe njihet edhe si “Baba i të gjithë pejgamberëve”
E dyta është se ai është “Mik i Zotit” (njeriu më i dashur i Tij). Të fitosh këtë epitet do të thotë që: dashuria për Zotin të pushtojë shpirtin, zemrën dhe trupin, dhe të gjitha të punojnë vetëm për një qëllim: kën aqësinë e Zotit të Madhërishëm. E kështu ishte Ibrahimi a.s..
Sot ka njerëz që pohojnë se e duan Zotin shumë dhe janë të lidhur fort me të. Por kur e pyet: A falesh? Përgjigjet: Jo, nuk falem rregullisht. Një njeri që thotë këto fjalë dhe nuk falet, dije se flet gjëra të paqena. Grada më e lartë e dashurisë për Zotin është ajo kur bëhesh “Mik i Zotit”. Këtë gradë e kanë arritur vetëm Ibrahimi a.s. dhe Muhamedi a.s..(1)
Allahu në Kuran thotë: “…Allahu e zgjodhi Ibrahimin të dashurin më të ngushtë”. (En Nisaë: 125) Kurse për Muhamedin a.s. nuk është thënë diçka e tillë në Kuran, por vetë Muhamedi a.s. e përmend në një hadith: “Unë nuk kam ndonjë mik tepër të ngushtë” prej jush. Zoti më ka zgjedhur “mik”, ashtu siç e zgjodhi Ibrahimin “mik”. Nëse do të zgjidhja ndonjë nga Ymeti im “mik të ngushtë”, do të zgjidhja Ebu Bekrin”.(2)

Sprovat e Ibrahimit a.s.

– Përballja me të atin idhujtar
Ibrahimi a.s., duke i njohur të vërtetat hyjnore, thirrjen për besimin në një Zot e filloi nga babai i tij, në mënyrën më të butë të mundshme: “Kur babait të vet i tha: “O babai im, pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as nuk ke asgjë prej tij?” (Merjem. 42) I thoshte këto fjalë Ibrahimi a.s. megjithëse e dinte se babai i tij prodhonte dhe i adhuronte idhujt. Kurse babai i tij – Azeri duke u nervozuar i tha: “Ai (babai) tha: “Ti, Ibrahim, i refuzon zotat e mi a? Nëse nuk pushon (së fyeri ndaj zotave të mi), unë do të të mbys me gurë, prandaj largohu prej meje për një kohë të gjatë!” (Merjem. 46) Por Ibrahimi a.s. iu kthye sërish t’et me një gjuhë të butë: “Ai (Ibrahimi) tha: “Qofsh i lirë prej meje! Unë do ta lus Zotin tim për të të falur ty, sepse ai (babai) ishte i kujdesshëm ndaj meje”. (Mer jem. 47) Dhe Ibrahimi u lut për të atin, po lutja nuk iu pranua sepse ai ishte armik i Allahut. Kur e kuptoi këtë, Ibrahimi a.s. hoqi dorë prej lutjes, sepse për pabesim tarët s’bëhet lutje për falje, po vetëm për t’i drejtuar në udhë të drejtë.(3) Ibrahimi a.s. i thërriste për besimin në një Zot dhe ua kishte bërë me dije se besimi i tyre ishte besim i gabuar, pra të largoheshin nga idhujadhurimet e të adhuronin vetëm Allahun xh. sh. Populli i Ibrahimit nuk e dëgjuan dhe ai një ditë i theu të gjithë idhujt duke lënë vetëm më të madhin prej tyre. Idhujtarët iu ankuan për këtë veprim të Ibrahimit a.s. Nemrudit, i cili e thirri Ibrahimin a.s.. Kishte një traditë që kushdo që hynte te Nemrudi, në fillim binte në sexhde para tij. Ibrahimi a.s. nuk e bëri këtë, nuk i ra në sexhde dhe Nemrudi e pyeti se cili ishte shkaku. Ibrahimi a.s. iu përgjigj: “Unë nuk i bëj sexhde askujt përveç Atij që na ka krijuar mua edhe ty”. Nemrudi e pyeti: Cili është Zoti yt? Ibrahimi a.s.: “Zoti im është Allahu që ngjall dhe vdes…”. Në fund vendosën që ta digjnin Ibra himin a.s. me arsyetimin se kishte dalë kundër idhujve të tyre dhe duhej ta merrte dënimin.
Ishin bërë të gjitha përgatitjet për ta hedhur në zjarr Ibrahimin a.s.. Ibrahimi, si çdoherë i bindur në Zotin Fuqiplotë, ishte shumë i qetë dhe nuk kishte fare frikë. Engjëjt, të habitur, u lutën: “Aman, o Zot, Ibrahimi që T përmend Ty më shumë se kushdo, po hidhet në zjarr! Ai është një pejgamber që nuk Të harron Ty as edhe për një çast të vetëm. A po na jep leje t’i shkojmë në ndihmë?” Pasi morën leje, një engjëll shkoi tek Ibra himi a.s. e i tha: “Erërat m’u dhanë nën urdhrin tim. Po deshe, e shkatërroj zjarrin fare”. Engjëlli tjetër tha: “Ujërat m’u dhanë në urdhrin tim. Po deshe, e shuaj zjarrin menjëherë”. Dhe engjëlli i tretë tha: “Toka m’u dha nën urdhrin tim. Po deshe, e gëlltis zjarrin”. Ibra himi a.s. ua ktheu e u tha: “Mos hyni në mes mikut dhe mikut. Unë pranoj ç’të dojë Zoti im. Nëse më shpëton, është e drejtë e Tij. Por nëse më djeg, është për shkak të të metave të mia. Në dashtë Zoti e të jem durimtar”. Para se ta hidhnin në zjarr, Ibrahimi a.s. i thoshte këto fjalë: “Hasbijallahu ve ni’mel vekil” “Mua më mjafton Allahu. Sa mbrojtës i mire është Ai”. Para se të binte në zjarr, Xhibrili e pyeti: “A ke ndonjë dëshirë”. Ibrahimi a.s. tha: “Po, kam, por jo për ty…”. Xhibrili iu drejtua me habi: “Pse nuk kërkon shpëtim nga Allahu?
Ibrahimi a.s. iu përgjigj: “Ai e di hallin tim. Me urdhrin e kujt digjet zjarri? Djegia punë e kujt është?” Atëherë Zoti e urdhëroi zjarrin: “Po, Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin”. (El Enbija. 69) Vendi ku ndodhej Ibrahimi a.s. në turmë të zjarrit, me ndihmën e Zotit Fuqiplotë, u bë një vend i freskët dhe atë nuk e prekte zjarri fare…

Emigrimi i Ibrahimit a.s.

Pas kësaj sprove, Ibrahimit a.s. nuk mund të qën dronte më tutje në atë vend dhe vendosi të shpërngulej nga Babiloni. Kronikat e historianëve thonë se ai kishte emigruar në shumë vende, po ne do të përmendim emi grimin në Egjipt e Palestinë dhe me një pjesë të familjes në Mekë.
Ibrahimi a.s. kishte kaluar vite të tëra në martesë e Zoti nuk i kishte falur fëmijë; sa më shumë plakej, i shtohej dëshira për të pasur të paktën një fëmijë. Që të jesh pejgamber i Zotit, kjo nuk do të thotë që ndjenja e të qenit baba të mos ekzistojë. Dashuria që kishte për bashkëshorten e vet – Sarën, e mbante të mos martohej me dikë që mund të lindte. Gjithashtu vetë Sara, nga dashuria që kishte për Ibrahimin a.s., e kishte vërejtur dëshirën e bashkëshortit që të kishte fëmijë, prandaj i propozoi të martohej me ndonjë grua që mund të lind dhe kështu Ibrahimi a.s. u martua me Haxheren. Ibra himi a.s. u lut kështu për një fëmijë: “Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve!” (Es Safat,100) Allahu ia plotësoi dëshirën e tij. “Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm)”. (Es Safat, 101)
Me lindjen e Ismailit a.s. si Haxherja dhe vetë Ibra himi a.s. u gëzuan pa masë dhe u dhanë shumë pas tij. Dhe ndodhi ajo që pritej të ndodhte. Sara filloi të bëhej një xheloze shumë e madhe.
Një ditë po i thoshte Ibrahimit a.s.: “Nuk dua që unë dhe Haxherja të qëndrojmë në një vend”.
Kështu që Ibrahimi a.s. mori Haxheren dhe Ismailin e vogël-foshnjë dhe i dërgoi në një vend të largët, që ia kishte caktuar Zoti xh.sh., në Mekë. Edhe kjo ishte një sprovë e madhe, të marrësh gruan me një fëmijë foshnjë dhe të kalosh qindra kilometra nëpër shkretëtirë e t’i vendosësh në një vend pa ujë, pa bimë dhe pa njerëz, e më pas t’i braktisësh, nuk ishte e lehtë… Haxherja e shihte me habi të shoqin tek largohej. Kur e pa se ai nuk po kthehej, filloi ta ndiqte dhe po i thoshte: “O Ibrahim, në dorë të kujt po na lë?” Ibrahimi nuk i përgjigjej, pasi nuk kishte çfarë t’i thoshte. Kur e pa Haxherja se nuk po i përgjigjej disa herë me radhë, për herë të fundit i tha: “A të ka urdhëruar Zoti të veprosh kështu?” Ibrahimi a.s. tundi kokën në shenjë pohimi. Atëherë Haxherja tha:” Zoti nuk do të na lërë pa mbikëqyrje”. Teksa shihte gruan, fëmijën dhe vendin ku i kishte lënë, Ibrahimi a,s. lutej: “Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie”… (Bekare: 126) Këto ishin çastet kur për herë të fundit i pa dhe ai vazhdoi rrugën. Lutjet e më pasme ishin: “Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një lug inë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë”… (Ibrahim, 37)(4)
Ibrahimi a.s. u kthye te Sara. Mirëpo herë pas here gjatë vitit vizitonte Haxheren dhe djalin e shumëpritur, Ismailin a.s.. Ismaili i vogël rritej dhe, sa më shumë që rritej, i shtohej edhe më shumë dashuria e Ibrahimit a.s. për të birin. Kur Ismaili kishte arritur të ecte bashkë me babanë, Allahu do ta sprovonte edhe më tej. Sprova e madhe e Ibrahimit a.s. Në një prej vizitave kur ndodhej në Mekë, Ibrahimi a.s. pa një ëndërr. Në ëndërr, ashtu siç e përshkruan Kurani, po e bënte kurban të birin, Ismailin. Ibrahimi ra në dilemë: a ishte kjo një ëndërr hyjnore apo djallëzore? Po ëndrra u përsërit njëlloj tri net. Sipas një rivajeti, Ibrahimi kishte bërë një premtim para se t’i lindte djali: “Po qe se Allahu më jep një djalë, kam për ta bërë kurban”.(5)
Për Ibrahimin, Ismaili nuk ishte vetëm bir i një babai që nuk kishte fëmijë, ai ishte fundi i një jete duke pritur, shpërblimi për një shekull me plot vuajtje, fryti i jetës së tij, shpresa e tij. Por sprovat nuk mbaruan këtu për Ibrahimin a.s.. Dhe pyetja që shtrohet e na vjen në mend, është: Pse duhej të kalonte Ibrahimi a.s. edhe një tjetër sprovë pas gjithë atyre sprovave të tjera të profetësisë së tij? Është e pamundur të thuhet me fjalë se çfarë do të thoshte kjo për Ibrahimin a.s. – që u urdhërua nga Allahu për ta sakrifikuar birin e vetëm – Ismailin. Dhimbja, ndjenjat janë shumë të mëdha edhe të imagjino hen, e jo më të përjetohen.
Si mund ta marrë Ibrahimi birin e tij të dashur, frytin e jetës së tij, gëzimin e jetës së tij, dhe t’ia vërë thikën në fyt? Ismaili i ri duhej të vdiste dhe Ibrahimi plak të jetonte? Kushedi se si ishte ndier Ibrahimi a.s.. Brenda tij duhej të kishte qenë një xhihad i vërtetë. Të zgjidhte midis Zotit dhe Ismailit. Cilën do të zgjidhte Ibrahimi a.s.? Dashurinë e Zotit apo dashurinë për vete? Besimin apo emocionet? Përgjegjësinë apo kënaqësinë? Por Ibrahimi a.s. Halil-ul-Allah (Mik i Allahut) – kishte besim tek Allahu dhe ai e dinte se Allahu i Madhëruar e kishte urdhëruar për këtë sakrificë. Dhe kështu në Mina, do të ndodhte një bisedë e mrekul lueshme dhe tronditëse midis babait dhe birit të tij të dashur. Ibrahimi i tha Ismailit : “O djali im, unë kam parë në ëndërr (jam urdhëruar) të të pres ty. Shiko, pra, ç’mendon ti?” (Es- Saffat,102) Çfarë fjalësh të vështira për babanë t’i thoshte dhe sa të frikshme për Ismailin t’i dëgjonte! Por edhe Ismaili ishte besimtar dhe ai iu dorëzua dëshirës së Allahut. Duke qenë i vetëdijshëm se sa e vështirë ishte kjo për babanë e tij, Ismaili e qetë soi atë duke i thënë: “O babai im, punoje atë që urd hërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve!” (Es- Saffat,102)

Kjo i dha Ibrahimit force dhe e mori Ismailin në një dore e thikën në tjetrën dhe ecën ashtu deri në vendin e sakrificës. Ai e shtriu Ismailin përtokë dhe drejtoi fytyrën e tij. Por, mëshira e Allahut, thika nuk e preu. Ibrahimi pa një dash, dhe Allahu i tha: “Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” “Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!” (Es- Saffat,104-105)
Si Ibrahimi a.s., ashtu dhe Ismaili a.s., e kaluan me sukses këtë sprovë të madhe.
Ibrahimi a.s. e përmbushi ëndrrën dhe mesazhin e Zotit pa hezituar dhe pa u lëkundur fare. Përderisa ai u tregua i gatshëm që të sakrifikojë gjënë më të shtrenjtë për hatër të Zotit, Zoti e shpërbleu me të mira.

 
________________
1. Amër Halid, Historitë e Profetëve. Shkup 2007. F. 192.
2. Po aty, Muslimi,1188. f. 200.
3. Osman Nuri Topbash. Vargu i profetëve nën dritën e Kur’anit-1. Stamboll, 2001. f. 178.
4. Amër Halid, Historitë e Profetëve. Shkup 2007. f. 282.
5. Os man Nuri Topbash. Vargu i profetëve nën dritën e Kur’anit-1. Stamboll, 2001. f. 195.

Dituria Islame 289

Prof. Isa Tërshani

Të fundit