Pse duhet të kemi kujdes nga “mendësia labirinte”?
E martë, 24 Qershor 2025
Hoxhë Halil Avdulli
Sepse kjo është mënyra e të menduarit që e komplikon fenë me tepër detaje, saqë harron thelbin dhe mesazhin e saj. Vetë Zoti na tregoi këtë përmes historisë së Beni Israileve me lopën: Zoti u tha “Therni një lopë”, por ata nuk e pranuan kaq lehtë. Filluan të pyesin për ngjyrën, moshën, detajet… sepse ishin mësuar nga Egjipti se edhe Zoti kërkon vetëm gjëra të ndërlikuara e me kushte të shumta.
Në fund, u lodhën, humbën kohë dhe e paguan shtrenjtë këtë kokëfortësi.
E njëjta gjë po ndodh sot me shumë myslimanë që janë ngatërruar me detaje teknike të fesë dhe kanë harruar se feja është më shumë thjeshtësi, pastërti dhe kuptim, sesa rregulla të ndërlikuara.
Për shembull: Kurani thotë “Nëse jeni xhunub, pastrohuni”. Çdo njeri e di çka është me u la, nuk ka nevojë për një libër me 100 faqe që të shpjegojë si bëhet dushi! Gjyshërit tanë hynin në ujë, laheshin, pastroheshin – pa debate, pa teori.
Por sot, disa njerëz kanë krijuar teori që edhe për larjen duan kushte speciale e rregulla që s’i kupton më askush.
Feja është udhëzim i thjeshtë, jo një labirint i pafund detajesh. Mos e kthejmë në barrë atë që Zoti e bëri lehtësim.