Foshnjat në Gaza përballen me rrezikun e vdekjes për shkak të mungesës së ushqimit nga bllokada izraelite


E premte, 27 Qershor 2025

Mungesa e ushqimit për foshnje për shkak se Izraeli mban të mbyllura të gjitha pikat kufitare tokësore në Rripin e Gazës që nga 2 marsi, përbën një kërcënim serioz për shëndetin e të porsalindurve dhe veçanërisht të foshnjave të lindura para kohe, raporton Anadolu.

Më 19 qershor nga Spitali Rantisi në veri të Rripit të Gazës dhe Spitali Nasser në jug u bë paralajmërimi se “ushqimi për foshnja ka mbaruar dhe se brenda 48 orëve mund të ndodhin vdekjet e foshnjave”.

Më 20 qershor, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, paralajmëroi se numri i fëmijëve që ushqehen në mënyrë të pamjaftueshme në Gaza po rritet me një ritëm alarmues dhe deklaroi se vetëm në maj, 5.100 fëmijë të moshës 6-muaj deri në 5-vjeç janë shtruar në spital për shkak të kequshqyerjes akute.

Pavarësisht të gjitha këtyre paralajmërimeve dhe thirrjeve për ndihmë nga Gaza dhe komuniteti ndërkombëtar, dy foshnje të tjera vdiqën dje në Spitalin Nasser.

– Numri i foshnjave të parakohshme po rritet për shkak të bllokadës

Nasser Bulbul, drejtor i Njësisë së Kujdesit Intensiv Neonatal (Neonatologji) në Spitalin Ndërkombëtar Al-Hulu në qytetin e Gazës, tha se “Numri i foshnjave të lindura para kohe po rritet sepse nënat nuk mund të hanë mirë për shkak të luftës. Kjo rrit barrën në njësinë neonatale. Në njësinë e kujdesit intensiv neonatal ka 12 inkubatorë, por numri i foshnjave të lindura para kohe varion midis 17 dhe 20”.

Bulbul, vuri në dukje se kanë përjetuar shumë probleme në njësinë e neonatologjisë dhe tha se këto përfshijnë pakësimin e ushqimeve speciale për foshnjat të lindura para kohe dhe mungesën e furnizimeve mjekësore.

Pasi informoi se ata përdorin qumështin e gjirit si një alternativë ndaj ushqimit për fëmijë, Bulbul më tej theksoi se kjo zgjidhje nuk funksionon gjithmonë sepse nënat janë gjithashtu të kequshqyera. Dr. Bulbul deklaroi se ata së fundmi u janë drejtuar tretësirave intravenoze (dhënien ilaçit ose ushqimit direkt përmes venës), të cilat rrezikojnë jetën e foshnjave.

– Lindi 7 muajsh dhe vetëm gjysmë kilogrami

Një nënë nga Gaza që lindi vajzën e saj Vetin Abu Bakr kur ishte vetëm 7-muajshe dhe peshonte 570 gramë, shpjegoi se si kequshqyerja ndikon te nënat dhe foshnjat e tyre.

“Djali im ka lindur me peshë 3,5 kilogramë. Foshnjat lindin herët sepse nuk ka ushqim dhe ka punë të vështira në shtëpi, siç është mbajtja e ujit dhe larja e rrobave. Ndërsa vajza ime ishte vetëm 570 gramë kur lindi. Ajo ka qenë në inkubator për 1 muaj. Tani është 1,5 kilogram. Mjekët thanë se do të vdiste në fillim. Edhe ata u habitën që ajo mbijetoi”, tha nëna nga Gaza.

Nëna e Vetin shprehu trishtimin e saj që nuk mund ta mbante vajzën e saj në krahë normalisht, duke theksuar se “Në fillim, kisha frikë të shkoja në spital dhe ta shihja. Do të shtrydhja qumështin tim dhe do ta dërgoja. Kam ardhur dy herë në ditë që kur ajo filloi të shërohej. Nuk kam pasur kurrë probleme me djalin tim, por vajza ime ka qenë në inkubator për një muaj dhe do të vazhdojë të qëndrojë”.

Etiketa:
Të fundit