E mërkurë, 2 Korrik 2025
Fluturimi i parë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Stambollit “Sabiha Gokcen” për në kryeqytetin sirian Damask, në epokën pas Asadit, përfundoi sot me sukses, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate nga kompania “AJet”, fluturimet ditore vajtje-ardhje për në Damask, një nga qendrat kryesore të Lindjes së Mesme, kanë filluar nga aeroporti “Sabiha Gokcen”.
“AJet” u bë linja ajrore e parë që operoi fluturime nga aeroporti “Sabiha Gokcen” i Stambollit për në Damask pas 13 vjetësh. Pas fluturimit dyorësh, pasagjerët u pritën me një ceremoni në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut.
Në fjalimin e tij në ceremoninë e mirëseardhjes në Damask, Kerem Sarp, shefi ekzekutiv i “AJet”, tha se linja ajrore është krenare që është e para që ofron fluturime nga Turqia për në Damask në 13 vjet, pas Turkish Airlines.
“Sot, realizuam fluturimin tonë të parë nga Stambolli për në Damask”, tha ai.
“Të premten, më 4 korrik, do të realizojmë fluturimin tonë të parë direkt nga (kryeqyteti turk) Ankaraja për në Damask”, shtoi Sarp. Kjo do ta bëjë “Ajet”-in linjën ajrore të parë që operon fluturime direkte nga Ankaraja për në Damask në shumë vite, shtoi ai.
“Që tani e tutje, ‘AJet’ do të operojë fluturime ditore nga Stambolli dhe tri fluturime në javë nga Ankaraja për në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut”, vuri në dukje ai.
Sarp tha se me epokën e re në Siri, zhvillimet drejt paqes dhe stabilitetit në rajon nxjerrin në pah edhe një herë rëndësinë e rrugës së re, duke shtuar se fluturimet direkte për në Damask, një nga qytetet e lashta të Lindjes së Mesme, do të ndihmojnë në ringjalljen e lidhjeve njerëzore dhe tregtare dhe do të promovojnë vëllazërinë gjatë procesit të rimëkëmbjes së Sirisë.
“AJet” operon fluturime në një total prej 59 destinacionesh në 34 vende, tha Sarp, duke shtuar se me shtimin e shërbimit për në Damask, ata janë të vendosur të vazhdojnë objektivat e tyre të rritjes në Evropë, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Afrikën e Veriut.