Kina bën thirrje për “respekt” ndaj sovranitetit sirian mes sulmeve ajrore izraelite


E enjte, 17 Korrik 2025

Kina ka bërë thirrje për “respekt” ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë në mes të sulmeve ajrore izraelite ndaj këtij vendi në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

“Asnjë veprim nuk duhet të ndërmerret, veçanërisht në mes të trazirave të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, që do të përshkallëzonte situatën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jian, në një konferencë për media në Pekin.

Dje, ushtria izraelite kreu sulme ajrore ndaj kryeqytetit sirian Damask, si dhe në Suwayda dhe Daraa, me arsyetimin se po mbron komunitetin druz. Një tjetër sulm raportohet se ka ndodhur mëngjesin e sotëm ndaj një baze ushtarake siriane.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, sulmet kanë shkaktuar mbi 30 të vdekur dhe gati 100 të plagosur.

Sot, presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa, tha se planet e Izraelit për të minuar stabilitetin e rajonit janë penguar falë ndërhyrjeve nga ndërmjetës të jashtëm dhe përpjekjeve të vetë shtetit.

Në një fjalim televiziv, Sharaa deklaroi se pavarësisht ndërhyrjeve izraelite që kishin në shënjestër institucionet publike dhe civile, “përpjekjet shtetërore për të rikthyer stabilitetin dhe për të dëbuar grupet e paligjshme kanë pasur sukses”.

Ai gjithashtu theksoi se kjo nuk do të ishte e mundur “pa ndërhyrjen efektive të ndërmjetësimit amerikan, arab dhe turk, që e shpëtuan rajonin nga një fat i panjohur”.

Të fundit