Shqipëria më fitore ndaj Portugalisë e nisi rrugën e kualifikimeve


E hënë, 8 Shtator 2014

Lisbonë – Kombëtarja shqiptare e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme ciklin kualifikues për evropianin 2016, duke mundur Portugalinë me rezultat 1-0, të dielën mbrëma në Lisbonë.

Pas fitores së Kosovës kundër Omanit, është Shqipëria që e bën këtë ditë edhe më festive duke shkëlqyer në duel me portugezët.

Të përzgjedhurit e Gianni De Biasit, kanë treguar një ndeshje jashtëzakonisht të mirë ndaj portugezëve, duke arritur një fitore të madhe dhe duke bërë hapin e parë, por të madh në garën për të siguruar një kualifikim për EURO 2016.

Futbollistët e Shqipërisë nga minuta e parë e deri në fishkëllimin e fundit të gjyqtarit, janë angazhuar maksimalisht në këtë sfidë të rëndësishme dhe në fund me meritë iu gëzuan fitores.

Është Bekim Balaj, futbollisti i cili “shtangu” Portugalinë duke shënuar një super gol në minutën e 52-të pas asistimit të Roshit dhe duke ia siguruar pikët maksimal ekipit shqiptar.

Portugezët pas golit të pësuar bën presion të madh drejt portës së Etrit Berishës, por në asnjë mënyrë nuk u thye mbrojtja shqiptare.

Përfundimisht Shqipëria arriti fitore të madh në udhëtim tek Portugalia, ndërsa sfidën e radhës kuqezinjtë e luajnë në fillim të muajit tetor në “Elbasan Arena”, kundër Danimarkës.

Etiketa: , , ,
Të fundit