Greqia miraton ligjin antiracist


E mërkurë, 10 Shtator 2014

Athinë – Pas shumë muajsh diskutimesh dhe korrigjimesh, Parlamenti grek ka miratuar nen për nen ligjin e ri antiracist.

Tashmë, Greqia ka një nomenklaturë ligjore, që vendos barriera ndaj akteve raciale të organizatave apo grupeve të ndryshme, që parashikon dënime të ashpra dhe bllokon financimin e partive dhe shoqatave, në rast se do të shkelin dispozitat e ligjit.

Sipas draftit, dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet heqje lirie, si dhe me gjoba nga 5.000 deri 20.000 euro, kushdo që provokon, irriton apo nxit akte, që mund të shkaktojnë diskriminim dhe urrejtjen ndaj një personi apo grupi personash, që përcaktohen mbi bazën e racës, ngjyrës, besimit fetar, origjinës kombëtare, orientimit seksual dhe integritetit fizik.

Ndëshkime të njëjta parashikohen edhe për ata, që qëllimisht dhe verbalisht, nëpërmjet shtypit dhe internetit, mohojnë krimet kundër njerëzimit, genocidet, krimet e luftës, holokaustin dhe nazizmin.

Në rast se aktet penale kryhen nga grupe, parti apo përfaqësues të ligjshëm dhe të autorizuar të tyre, ministri i Drejtësisë mund të vendosë gjoba nga 10.000 deri 100.000 euro, si dhe përjashtimin nga përfitimet shtetërore.

Miratimi i draftit vjen në një periudhë, kur gjysma e deputetëve të partisë neonaziste, Agimi i Artë, forca e tretë politike në vend, ndodhen në burg në pritje të gjyqit, me akuzat për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, ndërsa aktet e dhunës kundër emigrantëve të huaj shtohen gjithnjë e më tepër.

Ligji i ri kishte shkaktuar muajt e fundit debate të gjera midis deputetëve të koalicionit qeveritar dhe atyre të partive opozitare të majta, sidomos për sa i përket çështjes së bashkëjetesës së personave me orientim të njëjtë seksual, apo edhe të cilësimit të genocideve, ndërsa zëra proteste ka pasur edhe nga mitropolitë të Kishës greke.

Gjithsesi, sipas komenteve të së përditshmes britanike “The Guardian”, apo organizatës ndërkombëtare “Human Rights Watch”, legjislacioni, megjithëse i përmirësuar, nuk përfshin masa për të inkurajuar raportimin e krimeve të dhunshme të urrejtjes, apo veprimin nga policia dhe gjyqësori, duke i lënë rrugë të hapur rritjes së akteve me motive raciale. /tch/

Etiketa:
Të fundit