Programi unik që publikohet vetëm pas vdekjes së personazheve…


E martë, 24 Shkurt 2026
Programi unik që publikohet vetëm pas vdekjes së personazheve…

Seriali titullohet “Famous Last Words” (Fjalët e Fundit të Famshme) dhe episodi i dytë, i publikuar të premten e kaluar, iu kushtua aktorit Eric Dane, i cili humbi betejën me sëmundjen e rëndë ALS.

Në këtë rrëfim prekës, ylli i “Grey’s Anatomy” dhe “Euphoria”, i cili u nda nga jeta të enjten e kaluar në moshën 53-vjeçare, foli hapur për sklerozën laterale amiotrofike (ALS), përballjen me varësitë nga alkooli e droga, si dhe marrëdhënien komplekse me familjen.

Kjo nuk ishte një intervistë e zakonshme. Që momentin e xhirimit, Dane e dinte mirë se zëri i tij do të dëgjohej vetëm pasi ai të mos ishte më. Ky format unik i Netflix-it i publikon bisedat me njerëz të famshëm ekskluzivisht pas vdekjes së tyre.

Episodi i parë u shfaq në tetor 2025, pas vdekjes së shkencëtares legjendare Jane Goodall në moshën 91-vjeçare, ndërsa koha e publikimit të episodeve të radhës mbetet një mister që varet nga vetë fati.

Programi prezantohet nga autori dhe producenti i njohur Brad Falchuk (krijues i American Horror Story dhe bashkëshorti i Gwyneth Paltrow). Atmosfera në studio është tejet intime: vetëm Falchuk dhe i intervistuari.

Biseda filmohet me kamera në distancë dhe as stafi në dhomën e kontrollit nuk mund t’i dëgjojë fjalët e tyre në kohë reale. Në fund, Falchuk largohet, duke e lënë personazhin vetëm për t’u drejtuar një mesazh final dhe të drejtpërdrejtë teleshikuesve.

Intervistat mbeten të mbyllura në arkiv, ndonjëherë për vite me radhë, dhe montohen vetëm në çastet e fundit, pak orë para se të shfaqen në platformë. Në rastin e Jane Goodall, biseda ishte aq e thellë sa dukej sikur ajo po komentonte vdekjen e saj nga “ana tjetër”.

Seriali bazohet në formatin e suksesshëm danez “Det Sidste Ord”, të cilin Netflix e bleu në verën e vitit 2024. Në versionin origjinal, programi është vlerësuar shumë për lirinë që u jep figurave publike për të reflektuar mbi trashëgiminë që lënë pas.

Eric Dane, i cili e regjistroi intervistën e tij në nëntor me simptoma tashmë të dukshme, la një porosi prekëse për dy vajzat e tij. Ai u uroi që të dashuroheshin jo vetëm me një njeri, por me një pasion, ashtu siç kishte bërë ai me aktrimin.

Nga ana tjetër, Jane Goodall e mbylli intervistën e saj (të regjistruar në mars 2025) me një thirrje për njerëzimin, duke kujtuar se çdo individ ka një rol jetik në këtë botë. Ideja e programit është të shndërrojë vëmendjen që pason vdekjen e një personazhi në një përvojë “mallëngjyese dhe transhendente”.

Sipas Falchuk, dijenia se biseda do të publikohet post-mortem u jep të intervistuarve një liri absolute. Për shembull, Goodall nuk ngurroi të bënte shaka therëse, duke sugjeruar që liderë si Trump, Putin apo Netanyahu duhej të degdisen në hapësirë me anijet kozmike të Elon Musk.

Deri më tani janë regjistruar pesë intervista që presin në arkivat e Qendrës Kennedy, gati për t’u shfaqur kur të përfundojë jeta tokësore e protagonistëve të tyre. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit