A do bëhet Skocia vend i pavarur?


E hënë, 8 Shtator 2014

Edinburgh – Referendumi historik për pavarësinë e Skocisë do të zhvillohet më 18 shtator.

Konsultimi popullor do të bazohet mbi pyetjen e drejtëpërdrejtë ”A duhet të jetë Skocia një vend i pavarur?”, së cilës duhet t’i jepet përgjigjja ”po” ose ”jo”.

Të drejtë për pjesëmarrjen në referendum e kanë të gjithë shtetasit rezidentë skocezë që votojnë në zgjedhjet parlamentare. Në referendum janë thirrur vetëm qytetarët skocezë dhe jo ata të Britanisë së Madhe.

Për herë të parë do të votojnë edhe të rinjtë që kanë mbushur 16 vjeç deri më 18 shtator. Pritet që pjesëmarrja në referendum të jetë deri në 80 për qind, thënë ndryshe rreth 3,4 milionë persona. Referendumi fillon në orën 07:00 dhe mbyllet në orën 22:00. Për fitoren e referendumit nevojitet një maxhorancë e thjeshtë votash. Pritet që rezultatet përfunimtare të jepen më 19 shtator.

Ndërkohë, sondazhet e fundit tregojnë një rritje të përkrahësve për pavarësinë e Skocisë.

Qeveria britanike i ka propozuar Skocisë një autonomi më të gjerë nëse në referendumin që do të zhvillohet më 18 shtator për pavarësinë e kësaj të fundit, skocezët do t’i thonë ”jo” shkëputjes nga Britania e Madhe.

Sipas radios britanike, BBC, sekretari britanik i Financave, George Osborne ka ideuar për Skocinë një autonomi më të madhe fiskale për shpenzime publike dhe sociale. Kjo është përgjigjja e parë zyrtare ndaj sondazheve të fundit, që për herë të parë dje, njoftonin se përkrahësit e pavarësisë së Skocisë kanë dalë në avantazh ndaj atyre që nuk e duan këtë shkëputje. /BW/

Etiketa:

Leave a Reply

Të fundit