Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

A është fatkeqësia e Somës, problem për Erdoganin?

Prizren Post | 16:29 - 16.05.2014

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Vdekja e qindra minatorëve në aksidentin e rëndë në Soma dhe trajtimi i katastrofës nga qeveria, rrit presionin politik mbi kryeministrin Recep Tayyip Erdoğan.

Pas fatkeqësisë më të rëndë në historinë e minierave të Turqisë, tani vëmendja është drejtuar drejt qeverisë së Erdoganit. Kryeministri e quajti fatkeqësinë si një rrezik të pashmangshëm të minierave dhe tha se fatkeqësi të tilla ndodhin kudom duke sjellë edhe shembuj që nga shekulli i XIX.

“Diçka e tillë ndodh”, tha kryeministri.

60-vjeçari nuk po lë deri tani të kuptohet nëse do t’u përgjigjet kërkesave të sindikalistëve për dorëheqjen apo shkarkimin e ministrave të Punës dhe të Energjetikës, Faruk Celik dhe Taner Yildiz.

Gjatë vizitës së tij në Soma (14.05.2014) Erdogan u përball me një turmë të zemëruar e cila qe mjaft e nxehur nga shpjegimet e tij për fatkeqësinë.

“Kryeministër, jep dorëheqjen”, bërtitën demonstruesit.

Disa e qëlluan makinën zyrtare të kryeministrit me shkelma. Erdogan u fsheh përkohësisht në një supermarket dhe e ndërpreu, sipas njoftimeve të shtypit, vizitën e tij në Soma, pa arritur të shkonte për t’u takuar, sikurse edhe qe planifikuar, minatorët e plagosur në spitalin e zonës.

Në shtypin kritik ndaj qeverisë Erdogani, edhe fjalimi i tij po kritikohet rëndë. Po ashtu mjaft negativisht u komentua edhe fakti që këshilltari i tij, Yusuf Yerkel, qëlloi me shkelma një demonstrues të shtrirë për toke.

Njerëzit e acaruar me Erdoganin gjatë vizitës së tij i përkasin shtresës deri tani tipike të votuesve të Partisë së tij AKP, pra punëtorë dhe artizanë të vegjël, që kanë kryesisht prirje konservatore. Në zgjedhjet lokale në fund të marsit, AKP-ja fitoi në Soma rreth 43.3 për qind të votave, pothuajse sa mesatarja kombëtare.

Protesta pati jo vetëm në Soma, por edhe në pjesë të tjera të vendit, si p.sh. në Izmir, ku policia përdori edhe gaz lotsjellës.

Eksperti ekonomik dhe autori Mustafa Sonmez, është i bindur se fatkeqësia do të ketë pasoja politike. Jo vetëm numri i lartë i viktimave, por edhe akuzat për moskujdes në masat e sigurisë, si dhe prezantimi në publik i Erdoganit pas aksidentit, janë negative për AKP-në.

“Edhe në elektoratin e AKP-së do të ketë një reflektim,” tha ai, sepse “njerëzit nuk e kanë zemrën prej guri.”

Për Erdoganin fatkeqësia në minierë vjen në një kohë kritike. A do të njoftojë javët e ardhshme nëse do të kandidojë në gusht për zgjedhjet presidenciale.

Që nga fitorja e AKP në zgjedhjet lokale, kandidimi i kryeministrit për postin më të lartë publik konsiderohet si i sigurt. Sipas njoftimeve të shtypit, Erdogani po heziton me shpalljen e kandidaturës së tij vetëm për shkak se dëshiron që të zgjidh se kush do të jetë pasuesi i tij në AKP.

Nëse vetë Erdogani mendon që katastrofa e minierës më Soma do të ketë pasoja negative për kandidaturën e tij presidenciale, nuk dihet. Sipas ekspertit të sondazheve, Adil Gür, kryeministri nuk duhet të jetë shumë i shqetësuar.

“Unë nuk pres efekte të fatkeqësisë ndaj vendimeve të votuesve,” tha ai.

Elektorati turk është prej vitesh “tepër i polarizuar”, prandaj kjo është arsyeja pse shumica e votuesve të AKP do t’i qëndrojë besnike partisë së Erdoganit edhe pas katastrofës në Soma, mendon Gür. Ai vë në dukje se akuzat serioze për korrupsion kundër qeverisë së Erdoganit nuk e dëmtuan AKP-në në radhët e votuesve. Përveç kësaj, Erdogani pas Somës mori – nga perspektiva e pasuesve të tij – edhe vendime të sakta, si shpallja e një zie kombëtare triditoree cila mirëpritet nga populli. /DW/


Etiketa:
Arivisti Company