A është ‘Referendumi’, zgjidhje për krijimin e Ushtrisë së Kosovës?


E martë, 6 Shtator 2016

fsk

Prishtinë – Mos amandamentimi i Kushtetutës së Kosovës ka bllokuar një numër procesesh të rëndësishme, përfshirë edhe krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, thonë njohës të çështjeve kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës, e miratuar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së saj, në vitin 2008, asnjëherë nuk u sprovua deri në bllokadën politike të vitit 2014, kur juristët thanë se ajo nuk ka paraparë situata të caktuara politike.

Gjithsesi, Kushtetuta u parapa të ndryshohej me një marrëveshje politike të vitit 2011, të arritur ndërmjet tre liderëve politik në vend, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, që nxori Kosovën nga kriza e thellë politike.

Por, pas përfundimit të punës së komisionit për ndryshimet kushtetuese, Gjykata Kushtetuese solli vendimin se shumica e amandamentimeve shkelin kapitullin kushtetues për të drejtat e njeriut.

Ndryshimet kushtetuese kurdo që të mendohet të kryhen duhet të kalojnë përmes procedurave të caktuara, përfshirë një votim të dyfishtë: fillimisht prej dy të tretave të 120 deputetëve të Kuvendit dhe njëkohësisht dy të tretave të deputetëve nga radhët e komuniteteve.

Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet janë të domosdoshme por, sipas tij, ato duhet të nisin me një marrëveshje me përfaqësimet e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës.

“Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme, por që ka një problem këtu, sepse ndryshimi në këtë pjesë të shumicës së dyfishtë kërkon konsensus nacional dhe kërkon edhe gjithëpërfshirje të serbëve për të mos i bllokuar më tutje proceset, siç është rasti i Ushtrisë së Kosovës. Për të mos bllokuar ndryshimet kushtetuese që lidhen më ushtrinë e Kosovës, atëherë duhet mbase, sipas gjykimit tim, një referendum”, tha Qorrolli.

Qorrolli ka theksuar se komunitetet pakicë, që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, me votat e tyre janë duke bllokuar proceset, si integrimin në Bashkimin Evropian, formimin e Ushtrisë së Kosovës, anëtarësimin në NATO, e të tjera.

“Duhet liderët politik të ulen dhe të bisedojnë dhe të mos lejojnë edhe me tej instrumentalizimin e Listës serbe, e cila përveç që e ka të drejtën kushtetuese të shumicës së dyfishtë, e ka e edhe instrumentin e kontrollit dhe varësinë nga Beogradi dhe kjo duhet patjetër të ndryshojë”, tha Qorrolli.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti një vit më parë që të kalojë në votim themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, për shkak të mungesës së marrëveshjes me Listën Serbe, votat e së cilës ishin të domosdoshme.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës, Visar Morina, thotë se duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në Kuvend, dhe bllokimin e disa proceseve, ndryshimet në Kushtetutë janë të domosdoshme.

“Kushtetuta definitivisht duhet të pësojë ndryshime në këto segmente në mënyrë që të lehtësojë funksionimin kushtetues të organeve shtetërore dhe në veçanti të parlamentit. Vërehet edhe në seancën fundit të parlamentit bojkoti nga ana e komuniteteve pakicë dhe unë mendoj që një veprim i tillë definitivisht zbehë procesin e vendim marrjes në parlamentin e Kosovës”, tha Morina.

Profesori Morina konsideron se ndryshimet kushtetuese duhet të inicohen dhe të bëhen në koordinim me qytetarët e Kosovës, duke përfshirë grupet e komunitetit pakicë dhe faktorin ndërkombëtar.

“Kosova dhe Parlamenti i Kosovës duhet të marrin vendime strategjike. Mendoj dhe jam optimist që me një dialog të hapur me përfaqësuesit e komunitetit pakicë në parlament dhe përtej tij, dhe një komunikim të rregullt besoj se do të mund të gjendet një zgjidhje politike, e cila do të mund të çonte nga një variant i pranuar i modifikimeve kushtetuese”, tha Morina.

Nga ana tjetër, ish- deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Rangjell Nojkiq tha për Radion Evropa e Lirë se të drejtat e tyre nuk janë shpikur, por siç thotë ai ‘është një kërkesë e planit Ahtisaari, që në mënyrë të qartë kërkon që të krijohet një instrument mbrojtës për komunitetet pakicë.’

“Mendoj se në një shpjegim të përafërt ishte formulimi se ky nen vlen vetëm për vendimet shumë të rëndësishme për komunitetet. Sipas kësaj, nëse Ushtria është apo nuk është në interes edhe të komuniteteve, atëherë ky instrument duhet të respektohet dhe se nuk paraqet kurrfarë bllokade, por duhet të respektohet.”

“Kjo nënkupton që shumica në Kuvend duhet që para se të ndërmarrin çfarëdo vendimi të ulen dhe të bisedojnë me përfaqësuesit e komuniteteve dhe të formulojnë dhe definojnë zgjidhje që do t’u përgjigjen si shumicës, ashtu edhe pakicës. Andaj unë nuk e shoh këtë si bllokadë, por si masë që është në fuqi jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera, si p.sh. Belgjika”, tha Nojkiq .

Në zhvillimet aktuale politike, kur vendimmarrjet janë bllokuar për shkak të mungesës së marrëveshjeve politike, analistët kanë thënë se zgjidhja tani mund të pritet vetëm përmes trysnive nga faktori ndërkombëtar.

Të fundit