A kemi tejkalim apo shtyrje të krizës energjetike?


E shtunë, 2 Shtator 2017

Në këtë zonë të fshatit Shipitullë do të bëhet zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Nga rreth 52 hektarë tokë, të cilat duhet të shpronësohen, Qeveria e Kosovës deri më tani ka bërë vlerësimin dhe ka marrë vendim përfundimtar për shpronësim të 1.5 hektarëve.

Ndërsa, për pjesën e mbetur të tokave në Qeverisë së Kosovës ka marrë vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave, të cilat preken nga realizimi i projektit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vendimi përfundimtar për shpronësim është marrë për 11 prona.

“Vlerësimi ka përfunduar për zonën kadastrale Shipitullë dhe zonën kadastrale Hade. Gjithashtu, është marrë edhe vendimi përfundimtar ku nga17 prona kanë hyrë në vendim përfundimtar 11 prona për shpronësim. Ndërsa, sa i përket vlerësimit kemi të bëjmë me një hapësirë prej afër 1.5 hektarë dhe 8 objekte të improvizuara. Kurse, vlera financiare është rreth 236.000 euro”, ka theksuar Shahini.

Ndërkohë, kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës ka kërkuar efikasitet më të lartë nga Korporata Energjetike e Kosovës lidhur me shpronësimet.

“Ne duhet të kërkojmë nga KEK-u që me kohë t’i përgatisë të gjitha këto vendime, në mënyrë që Qeveria, as KEK-u, të mos vijnë në situatë të tillë të ngutshme, veçmas tani kur jemi në përgatitje të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e re”, që edhe Banka Botërore edhe investitorët kërkojnë që të jemi shumë efikas dhe shumë të saktë në çështjet e shpronësimeve edhe në çështjet e zhvendosjes së popullatës nga ato prona”, ka deklaruar Mustafa.

Korporata Energjetike e Kosovës një muaj më parë kishte thënë se Kosova mund të përballet me një krizë energjetike, për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, dhe kishte kërkuar hapa konkretë të përshpejtimit të procedurave të shpronësimit për banorët.

Proceduarat për marrjen e këtyre tokave në fshatin Shipitullë dhe në gjithë zonën e mihjes së re, bëhet përmes dy dokumenteve ‘Korniza e politikave për zhvendosje’ dhe ‘Ligji për shpronësimin e tokës së paluajtshme’.

Disa nga banorët e kësaj zone kanë nënshkruar tani marrëveshjen ‘Korniza e politikave për zhvendosje’, pa u detyruar që toka t’iu merret përmes ligjit për shpronësim.
Arben Gjukaj, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, se kanë vazhduar negociatat me banorët për të nënshkruar marrëveshjet për shpronësim.

Disa nga banorët, ka thënë Gjukaj e kanë pranuar ofertën, por ka edhe banorë, të cilët kanë kërkesa të ndryshme dhe shtyhen nga dikush tjetër që të mos e pranojnë.
Ai iu kishte bërë thirrje autoriteteve në vend që të jenë vigjilente dhe të marrin vendime sa më të shpejta dhe ta ndihmojnë Korporatën që të kalojë këtë sfidë.

“KEK-u kërkon që të respektohen ligjet, të respektohen rregulloret dhe ta evitojmë të keqen e mundshme, pasi që po hyjmë në sezonin e dimrit. Ne jemi duke bërë përpjekje që të mos vijmë në atë situatë, por nëse nuk kryhen veprimet konform kërkesave tona, atëherë mund të vijmë në një situatë jo të mirë dhe ne do të veprojmë konform asaj situate”, ka thënë Gjukaj.

Me disa nga banorët e fshatit Shipitullë, me të cilët Radio Evropa e Lirë kishte biseduar, kishin thënë se do të largoheshin nga këtu nëse edhe Qeveria do t’i vlerësonte si duhet tokat e tyre dhe t’iu ofronte punësim.
Qamil Mjekut nga ky fshat, shtëpia prej 128 metrash katrorë, nga autoritetet në Kosovë i është paraparë t’i kompensohet në vlerë prej afër 39 mijë eurosh, për ç’gjë zoti Mjeku ka thënë se është vlerë shumë e ulët.
Ai ka treguar se ende nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për shpronësim, por do ta bëjë një gjë të tillë…

“Unë, si banor i këtij vendi, edhe ia fali shtetit, vetëm të mos mbeten në terr qytetarët e Kosovës, por edhe këta duhet të bëjnë shpronësim meritor dhe të na marrin në punë, të na punësojnë”, është shprehur ai.

Abide Mjeku, banore në këtë fshat, ka thënë se janë të pakënaqur me vlerësimin për kompensim që u është bërë tokave dhe shtëpive të tyre. Ajo ka thënë se nuk do të nënshkruajnë marrëveshjen për shpronësim nëse nuk u ofrohen kushtet që ata kërkojnë:
“Nëse shtetit po i duhet energji elektrike për krejt Kosovën, normalisht që ne dalim nga këtu, por edhe ata duhet ta paguajnë këtë. Nëse ne dalim nga këtu, qysh jetojmë pa pasur kushte? Kërkojmë tokë, qysh marrin ata tokë nga ne, kërkojmë shtëpinë të na ndërtojnë dhe të na punësojnë. Këtu po i marrin milionat, e ne të dalim pa asgjë … kemi fëmijë dhe na duhen paratë”.

Fshati Shipitullë, i cili gjendet rreth 20 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është zonë e shpallur me interes të veçantë për zgjerimin e aktiviteteve minerare të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Por, pavarësisht se ky fshat ishte shpallur nga autoritetet kompetente zonë me interes, qysh në vitin 2004, për t’u rikonfirmuar edhe një herë në vitin 2009, në këtë zonë banorët kishin ndërtuar shtëpi.
Vetëm në Shipitullë brenda gjashtë viteve të fundit janë ndërtuar më shumë se 200 shtëpi.

Etiketa: , , ,
Të fundit