E premte, 2 Gusht 2013
Prishtinë, 1 gusht – Qeveria mund ta pësojë atëherë kur më së shumti i duhen votat e deputetëve, sidomos të atyre të opozitës. Kështu ka paralajmëruar Aleanca e Ramush Haradinajt, e cila në shumë raste i jep votën për iniciativave të Qeverisë, raporton KTV-ja.
Por, AAK-ja thotë se në sesionin e ardhëm parlamentar Qeverinë Thaçi do ta ndëshkojë me bojkot nëse ajo vazhdon praktikën e mospranisë në kohën e pyetjeve parlamentare. Deputeti Ahmet Isufi ka thënë se Qeveria është aty me mandatin që i kanë dhënë këta deputetë dhe duhet të shfaqet më e përgjegjshme karshi tyre.
Ndërkaq, Albulena Haxhiu nga “Vetëvendosje” ka deklaruar se Qeveria Thaçi bëhet e gjallë dhe e “përgjegjshme” karshi deputetëve vetëm atëherë kur kanë nevojë për votën e tyre.
Organizata që mbikëqyr punën e Kuvendit, Instituti Demokratik i Kosovës, në këtë rast i sheh fajtore të dyja palët, edhe Qeverinë, edhe deputetët, ndërsa ka marrë shembull mobilizimin e deputetëve atëherë kur ka presione nga Qeveria për gjëra të një rëndësie të veçantë.