Abdixhiku e quan Kurtin “Arkitekt i mashtrimit”, ia kërkon zbulimin e draftit të Asociacionit


E shtunë, 28 Tetor 2023

PRISHTINË – Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas takimit që kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pasur me pesëshen evropiane dhe pranimin që kreu i qeverisë e ka bërë për dokumentin e dorëzuar nga emisarët specialë për Asociacionin.

Abdixhiku tha se trë ditë më parë, ky dokument u pranua për herë të parë nga Kurti, pasi s’kishte më herët një të tillë dhe kurrë më parë sipas Abdixhikut, s’kishte arritur kaq larg, teksa Kurtin e quajti arkitekt të mashtrimit.

“Tani, yjet politike janë përplot ironi. Ato, arkitektit të mashtrimit, dhunës e përplasjeve një dekadëshe ndërshqiptare i përcaktojnë fatin e bërjes së Statutit të Asociacionit për serbët dhe kështu zhbërjes së kauzës jetësore të tij. Çfarë fati i trishtë politik”.

“Fati i tillë megjithatë nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë. Se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë. Se dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim. Se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim”, tha Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku tha se Kosova humbi kohë, mundësi e përfundoi ku ishte në fillim, por këtë herë pa njohje, pa marrëveshje finale e plot dialog në vazhdimësi.

“Dhe mbi të gjitha, pa ndonjë shpjegim për një popull të tërë se çfarë ka pranuar Kosova në relacion me Serbinë. I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend”.

“Koha të bëjmë Kosovën. Pa mashtrues e popullistë! Janë të kushtueshëm, na humbin kohë e na lënë në vendnumërim. Koha të ecim me aleatë. Drejt NATO-s e Bashkimit Evropian”, tha ai./KK

Etiketa: , , , ,
Të fundit