E martë, 25 Gusht 2015
Lushnje – Abdurrahman Roza Haxhiu ose Roza Haxhiu,siç njihet nga të gjithë, lindi në qytetin e Lushnjës në lagjen “Kongresi i Lushnjës” më 30 shtator 1930. Ishte i biri i Bajram Haxhiut, një nga anëtaret e komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës. Që në fëmijëri Roza, ëndërronte të bëhej futbollist. Talenti i tij u duk që në moshën e re në ekipin e Traktorit të Lushnjës, siç quhej në ato vite skuadra lushnjare, dhe më vonë shkëlqeu në ekipet Luftëtari, Partizani dhe Dinamo.
Gjatë karrierës së tij sportive, Roza u nderua me titullin e lartë “Mjeshtër i sportit” dhe u bë i njohur jo vetëm në vendin tonë, por edhe në arenën ndërkombetare, duke luajtur me ekipin e Partizanit, Dinamos dhe në ekipet tona përfaqësuese.
Në vitin 1955 tërhiqet për përforcim nga Dinamo në ndeshjen me Dozhën e Budapestit. Pas ndeshjes futbollisti i madh hungarez Suza do të shprehej: “-Ai, Roza, është një futbollist i kalibrit Europian në vitin 1958. Në fitimin e medaljeve të argjenda nga Partizani në spartakiadën e ushtrive të vendeve socialiste në Lajpcig në vitin 1958, Roza dha një kontribut të rëndësishëm. Vitet e fundit të jetës së tij ia kushtoi përsëri futbollit. Ai punoi pa u lodhur si tranjer i ekipit të Traktorit të Lushnjës.
Me emrin e Rozës lidhet edhe rikthimi i Traktorit në kategorinë e parë (superiore sot) në vitin 1960, pas 6 vitesh në kategorinë e dytë. Që nga ajo kohë deri në vitet ’90, Traktori do të ishte pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Por sëmundja e rëndë, më 19 maj të vitit 1964, do ta ndante nga jeta Roza Haxhiun në një moshë fare të re, kur sapo kishte mbushur të 34 vitet. Por rrugën e ndërprerë në mes të Rozës do ta vazhdonte, i biri Adnandi, i cili do të aktivizohej fillimisht me Shkëndijën dhe pas përfundimit të studimeve në ILKF “Vojo Kushi”, do të kthehej në qytetin e tij të lindjes për t’u aktivizuar me Lushnjën. Por ka edhe një kuriozitet që lidhet me emrin e këtij legjende të futbollit lushnjar.
Emri i vërtetë i Roza Haxhiut është Abdurrahman. Vëllai i tij e sqaron edhe “pagëzimin” e Abduharrmanit në Roza.”Pas një sëmundje të rëndë që ka kaluar në fëmijëri, ai është dërguar në spitalin e Lushnjes. Doktor Çabej që u kujdes për të, pa se ai ishte një fëmijë shumë i bukur dhe i shëndetshëm. Në formën e një supersticioni doktor Çabej propozoi që atij t’i ndryshohej emri. Ai ishte i pari që e quajti Roza, për të simbolizuar më shumë një lule të bukur, siç është trëndafili. Që nga ai moment, emri i tij do të ishte Roza dhe nuk u ndryshua më kurrë”, tregon vëllai i Roza (Abdurrahman) Haxhiut. Po ndërkohë, mos mendoni se stadiumi i qytetit të Lushnjës ka qenë aty ku është sot. Fusha e futbollit, aty ku Lushnja u ngjit në kategorinë e pare, para viteve ’60 ka qenë pikërisht ku është gjimnazi i sotëm, gati në qendër të qytetit. Pas viteve ’60 ka nisur ndërtimi i stadiumit të sotëm i qytetit të Lushnjës. Fillimisht ai e ka patur emrin Traktori, ashtu si emri i skuadrës. Pas viteve ’90, më saktë në vitin ’92, me vendim të Këshillit Bashkiak të Lushnjës, stadiumit të futbollit iu vu emri i “Roza Haxhiut”, në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner në futbollin lushnjar.
Në kuadër të 30 vjetorit të vdekjes, 21 Maj 1994 u përkujtua në qytetin e Lushnjes legjenda e futbollit shqiptar, Abdurrahman Roza Haxhiu. Ceremonitë e organizuara nga Bashkia Lushnje dhe kryetari i Bashkisë Lushnje Z.Kujtim Haxhiu, në nderim të figurës dhe veprimtarisë së A.Roza Haxhiut, nisën me një ndeshje që u zhvillua në stadiumin “A.Roza Haxhiu”. Në këtë ceremoni përkujtimore morën pjesë futbollistë, këngëtarë e aktorë si: Vaçe Zela (këngëtare), Margarita Xhepa (aktore), Ilia Shyti (aktor), Hysni Zela (këngëtare), Kolec Kraja (futbollist), Robert Jashari (futbollist), Ismet Bellova (komentator sportiv), etj. Ndërkohë, në sallën e kinoteatrit “Vaçe Zela”, u zhvillua edhe një aktivitet zyrtar nga Bashkia Lushnje, ku folën miqë e shokë mbi jetën dhe veprimatarinë e futbollistit legjendar Abdurrahman Roza Haxhiu.
Në vitin 1999 nga ish ministri i Kulturës Z.Edi Rama i është dhënë titulli “NDERI I SPORTIT SHQIPTAR”. Në maj të vitit 2007 është realizuar dhe dokumentari “Trëndafili i fushës së blertë” në Televizionin Shqiptar TVSH i sponsorizuar nga Z.Altin Haxhiu kushtuar Abdurrahman Roza Haxhiu-t mbi jetën dhe veprimtarinë e futbollistit.