Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Abrashi po i ‘çmend’ të gjithë në Freiburg

Prizren Post | 12:01 - 04.07.2015

Amir Abrashi ka nisur aventurën e re me skuadrën gjermane SC Freiburg, siç është më së miri.
Mesfushori fantastik i Kombëtares së Shqipërisë ka luajtur në tri ndeshjet e para miqësore si titullar duke treguar vlerat e tij në mesfushë.

Përpos lojës fantastike defensivë, Amiri ka treguar që është edhe një shënues i mirë duke realizuar dy gola në dy ndeshje.

Pritshmëritë për të janë të mëdha, por djaloshi nga Gjakova ka filluar t’ia rrëmbejë zemrën të gjithëve në Freiburg.

Trajneri Christian Streich, ka treguar për ‘Kicker’ për pozitën e Abrashit në fushë dhe për qëllimet e tij.

“Abrashi po aktivizohet në mes të qendrës, mbrapa, para mbrojtjes, por ka angazhim edhe në ndërtimin e manovrës sulmuese. Ai merr pjesë aktive edhe në fazën ofensive. Lojtari i kombëtares shqiptare ka paraqitje të mirë edhe në lojën e ashpër”.

“Në Superligën zvicerane ka luajtur prapa liderit të sulmit, edhe në dy krahët e mesfushës, në të majtë dhe të djathtë. Konstatoj me kënaqësi që shqiptari i ka vënë qëllim vetes të shënojë sa më shumë gola. Në dy ndeshjet testuese ka treguar vlera interesante në këtë drejtim”, tha Streich për Abrashin.

Ndërkohë vetë 25-vjeçari për ‘Kicker’, ka thënë se po ndihet mirë në klubin e tij të ri dhe shpreson ta ndihmojë që të rikthehet menjëherë në Bundesliga 1.

“Unë kam krijuar një përshtypje shumë të mirë për ekipin dhe qytetin. Nuk kam ndonjë kohë të gjatë këtu, por jam ambientuar shpejt. Taktikisht kam mësuar shumë nga trajneri Streich”

“Dua të zhvillohem më tej si futbollist, sepse kushtet këtu te Freiburgu janë vërtet optimale. Çdo ditë në stërvitje punojmë me mendimin për të pasur një fillim sa më të mirë të sezonit, sepse klubi synon patjetër ngjitjen në Bundesligë. Në ekip kemi shumë potencial. Ne duhet të punojmë së bashku dhe gjithmonë të mendojmë pozitivisht. Nëse e bëjmë këtë, atëherë jemi në rrugën e duhur”, përfundoi Abrashi. /Telegrafi/


Etiketa:
Arivisti Company