Abrazhda: Kosova duhet patjetër të anëtarësohet në NATO, mbështetja e Shqipërisë është e pakushtëzuar


E diel, 8 Qershor 2025

Abrazhda: Kosova duhet të anëtarësohet patjetër në NATO, mbështetja e Shqipërisë është e pakushtëzuar

Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Blerina Abrazhda, ka deklaruar se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO pa kushte, duke theksuar se Shqipëria do të mbështesë gjithmonë aspiratat euroatlantike të shtetit të Kosovës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Abrazhda theksoi se pavarësisht zhvillimeve në veri të Kosovës, shtetësia dhe sovraniteti i saj nuk mund të vihen në diskutim.

“Situata gjeopolitike është e komplikuar në mbarë botën, ndoshta më shumë se në 20–30 vitet e fundit. Shqipëria, në të gjitha nivelet e saj të lidershipit, është mbështetësja më e madhe e Kosovës. Ne mbështesim fuqimisht hyrjen e Kosovës në NATO. Kjo është një domosdoshmëri. Nuk ka asnjë dyshim për mbështetjen tonë, e cila do të vazhdojë të jetë gjithmonë e pakushtëzuar”, tha ajo.

Sipas zëvendësministres, çdo forum ndërkombëtar ku Shqipëria merr pjesë — nga kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministri i Jashtëm apo vetë ajo — e përmend gjithmonë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtarë.

Abrazhda e cilësoi Kosovën si një projekt të suksesshëm të NATO-s dhe një shembull të rëndësishëm të arritjeve të kësaj organizate në rajon.

“Pavarësisht çfarë ndodh në veri të Kosovës, Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, me aspirata të qarta euroatlantike. Është një nga misionet më të mëdha dhe më të suksesshme të NATO-s. Ka një forcë të armatosur të kompletuar, ka një kushtetutë funksionale dhe të gjitha elementet për t’u anëtarësuar. Natyrisht, procesi i anëtarësimit është i ndërlikuar për shkak të faktorëve gjeopolitikë, por mbështetja e Shqipërisë nuk do të mungojë. Kjo mbështetje nuk është thjesht vëllazërore, por edhe një mbështetje shtetërore dhe strategjike, si anëtare e NATO-s”, theksoi ajo.

Abrazhda përmendi gjithashtu përpjekjet ndërkombëtare që Shqipëria ka ndërmarrë për të rritur përkrahjen për Kosovën.

“Me mbështetjen tonë, është formuar një grup prej 32 shtetesh që mbështesin vazhdimisht Kosovën. Nuk ka kthim pas në çështjen e Kosovës — kjo duhet të jetë e qartë. Pavarësisht se si veprojnë shtete të tjera apo si ndërtojnë strategjitë e tyre, ne shqiptarët — në Shqipëri dhe në Kosovë — jemi të pozicionuar qartë në kampin e duhur, në bllokun euroatlantik”, përfundoi Abrazhda.

Etiketa: ,
Të fundit