Administrata e re arriti ta nxjerrë qytetin nga gjendja e emergjencës


E shtunë, 30 Korrik 2016

velijaj

“Tirana 1 vit në punë” ishte motoja e aktivitetit të organizuar për prezantimin e punës që Bashkia e Tiranës ka kryer përgjatë një viti për qytetarët. Gjatë këtij aktiviteti kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se administrata e re arriti ta nxjerrë qytetin nga gjendja e emergjencës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sfida dukej e pamundur, megjithatë unë besoj se së pari, treguam që jemi të fokusuar, që mendjen e kemi te puna, që realizuam detyrat që i kishim vënë vetes. Unë besoj se kemi bërë diferencën duke zgjedhur një kulturë krejt tjetër, atë të punës. I morëm të gjitha problematikat që hasëm gjatë fushatës vjet dhe vendosëm t’i zgjidhnim, pa debatuar kush e ka fajin. Ku ka vullnet, ka një rrugëzgjidhje. Bashkia e Tiranës ka vullnet dhe i ka dhënë rrugëzgjidhje shumicës së këtyre problemeve”, theksoi Veliaj.

Duke u ndalur te sfidat kryesore me të cilat Bashkia e Tiranës u përball gjatë këtij viti të parë të mandatit të tij, kryebashkiaku theksoi se qyteti është më i pastër. “Një nga gjërat për të cilat më vjen mirë dhe që njerëzit ma vënë në dukje, sidomos shqiptarët që kthehen në verë apo të huajt që vijnë në Shqipëri, është që Tirana është më e pastër”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku i Tiranës e konsideroi një histori suksesi punën e kryer gjatë këtij viti për rikonstruksionin e çerdheve dhe kopshteve. Ai u ndal edhe në dimensionin social të punës së bashkisë që drejton, ku vlerësoi punën e kryer me projektet e rehabilitimit të familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian, duke theksuar se ata kanë qenë kategoria kryesore që ka përfituar nga ndarja e banesave sociale.

Gjatë kësaj analize, Bashkia e Tiranës shpërndau edhe çmimet “Punëtori i qytetit” për punonjësit më të spikatur që kanë dhënë kontributin e tyre gjatë këtij viti. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikata mirënjohje për punonjësit më të vjetër dhe ata në prag pensioni.

Të fundit