E shtunë, 24 Tetor 2015
Stamboll – Agjencia turke e lajmeve Anadolu, citon drejtorin ekzekutiv të kompanisë Turkish Airlines Temel Kotil të ketë thënë se “Aeroporti i tretë i Stambollit, do të jetë “drita e syve të tetë vendeve në zhvillim”.
“Pas hapjes së këtij aeroporti pasagjerët nga Azia mund të kalojnë transit përmes Stambollit për në vende të tjera. Me këtë aeroport, Turqia dhe Turkish Airlines do të zhvillohen më tej”, tha Ai.
Komentet e tij erdhën pas nënshkrimit të marrëveshjes së konsorciumit të IGA Havalimani Isletmesi A.S, i cili fitoi tenderin në vitin 2013 për të ndërtuar aeroportin e ri të Stambollit, me gjashtë bankat turke të cilat do të sigurojnë 4,5 miliardë euro për pjesën e parë të projektit.
Aeroporti i tretë i Stambollit, pas aeroporteve Ataturk dhe Sabiha Gokcen, është duke u ndërtuar në Arnavutkoy, në pjesën veriperëndimore të anës evropiane të rajonit.
Pasi të ketë përfunduar ndërtimi i tij, aeroporti do të jetë më i madh në botë në aspektin e kapacitetit të pasagjerëve. Pritet të ketë kapacitet rekord botëror prej 150 milionë pasagjerësh në vit.
Kotil foli për AA pasi që Turqia po përgatitet për të rimarrë presidencën mbi D-8 Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik në fushën e aviacionit civil në vitin 2016.
D-8 u themelua në vitin 1997 nën udhëheqjen e Turqisë si aleancë e zhvillimit ekonomik dhe ka si anëtarë të saj Turqinë, Pakistanin, Nigerinë, Malajzinë, Iranin, Indonezinë, Egjiptin dhe Bangladeshin. Ndërsa Sekretariati i përgjithshëm i Grupit ndodhet në Stamboll.
Grupi D-8 ka krijuar bashkëpunimin në aviacion me nënshkrimin e Memorandumit të mirëkuptimit të aviacionit civil, i cili u miratua në vitin 2008. Me këtë marrëveshje, kompanitë ajrore kombëtare të vendeve anëtare të D-8 kanë rritur bashkëpunimin e tyre.
Kompania Turkish Airlines tashmë fluturon në 20 destinacione të vendeve D-8, duke u bërë lidere në transportimin e pasagjerëve në shtetet në fjalë.