E premte, 15 Maj 2020
PRISHTINË – Aksioni “Sofra e Ramazanit” i organizuar nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, e që për qëllim kishte begatimin e sofrave të iftarit ka gjetur dhe po gjen mbështetje edhe në ditët e sotme.
Një përkrahje dhe një mbështetje për këtë aksion, sot erdhi edhe nga Ambasada amerikane në Kosovë, e cila mbështeti këtë aksion me 25 pako ushqimore.
Në emër të Ambasadës amerikane, këtë donacion e dorëzoi z. John Bush, zyrtar për të drejtat e njeriut dhe liritë fetare.
Zyrtarët e Ambasadës u mirëpritën nga përgjegjësi i Shoqatës “Bereqeti”, Behxhet ef. Ajvazi dhe nga Xheladin ef. Fazliu.
Behxhet ef. Ajvazi falënderoi përzemërsisht Ambasadën amerikane për përkrahjen e dhënë për këtë aksion. Ai më tutje njohu mysafirët me historikun dhe me aktivitetet e Shoqatës “Bereqeti” në përgjithësi, si dhe për aksionin “Sofra e Ramazanit” në veçanti.
Nga ana e tij, z. Bush, falënderoi dhe përgëzoi Shoqatën “Bereqeti” për aktivitetin e saj humanitar që është duke e zhvilluar për të qenë sa më pranë familjeve nevojtare.
Etiketa: Ambasada Amerikane, Bashkësia Islame e Kosovës, Kosovë, Ramazani 2020, Sofra e Ramazanit