E enjte, 15 Tetor 2026

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka përshëndetur vendimin e Kosovës për t’iu bashkuar një mase shtesë kufizuese të BE-së ndaj Rusisë, në mbështetje të Ukrainës.
Përmes një postimi në platformën X, Schuebel ka vlerësuar se ky vendim e mban Kosovën në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.
“E mirëpres vendimin e sotëm të Kosovës për t’u harmonizuar me një masë shtesë kufizuese të BE-së kundër Rusisë, në mbështetje të Ukrainës, si dhe me deklaratat e 27 vendeve anëtare të BE-së, duke ruajtur kështu harmonizimin e saj të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”, ka shkruar Schuebel.
Ai ka theksuar se vazhdimi i këtij harmonizimi dëshmon përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane.
“Përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë pasqyron respektimin e saj për vlerat evropiane”, ka deklaruar ambasadori.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka miratuar sot plotësim-ndryshimet e vendimit të vitit 2022, të nxjerrë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, për zbatimin e vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian lidhur me sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se vendimi synon harmonizimin e mëtejshëm të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
