E premte, 26 Korrik 2013
Prishtinë, 26 korrik – Ambasadori i Republikës së Kosovës, Valdet Sadiku i cili me dekret të veçantë është emëruar shef i Misionit të posaçëm të Kosovës në Beograd, ka filluar edhe zyrtarisht punën.
Ai tashmë gjendet në Beograd, me stafin përcjellës. Kështu njoftoi për Telegrafin, zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami.
Ndryshe, para nisjes në Beograd, presidentja Atifete Jahjaga pati takuar ambasadorin Valdet Sadiku.
Jahjaga pati vlerësuar se hapja e misionit të posaçëm diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Serbisë kontribuon në zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ndërkaq, ambasadori Sadiku ka shprehur gatishmërinë për të kryer me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë të gjitha detyrat pasi që ky mision ka specifikat e veta, duke marrë parasysh të kaluarën e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe synimin e përbashkët të integrimeve evropiane.