E mërkurë, 29 Tetor 2014
Prishtinë – Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songyl Ozan, ka bërë thirrje për formimin sa më shpejtë të institucioneve dhe tejkalimit të krizës politike, në të cilën ka hyrë vendi që pas zgjedhjeve.
Ajo i ka thënë Radio Kosovës se humbja e kohës në formimin e institucioneve është shumë e dëmshme si në aspektin e zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në integrime tjera.
Duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme, por edhe të suksesshme zgjedhjet e tetë qershorit, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songyl Ozan, vonesën në formimin e institucioneve e ka quajtur humbje të madhe për Kosovën. Ajo ka thënë se pas zgjedhjeve të suksesshme vonimi i formimit të qeverise është diçka e papritur. Sipas saj, këto ngjarje që po ndodhin nuk i ka merituar Kosova dhe populli i saj.
Pas zgjedhje të suksesshme ishte dashur menjëherë të formohet qeveria dhe institucione tjera. Humbja e kohës nuk është e mirë për Kosovën. Integrimi dhe bashkëpunimi me BE-në, e posaçërisht zhvillimet në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe zhvillimi ekonomik dhe shumë çështje të tjera lidhur me këtë, Kosova duhet që energjinë dhe kohën ta përdorë mirë dhe sa më shpejtë t`i formoj institucionet dhe qeverinë.
Diplomatja turke u ka dhënë mesazh liderëve partiak se vetëm stabiliteti politik e qon Kosovën drejt zhvillimit të saj në të gjitha fushat.
Funksionimi i institucioneve të Kosovës për shtetin dhe të ardhmen janë shume të rëndësishëm. Stabiliteti politik është shumë i rëndësishëm dhe jo boshllëqet politike. Për të zgjidhur të gjitha problemet duhet që institucionet të jenë gjithmonë funksionale.
Ambasadorja Songyl Ozan ka shprehur besimin e saj që ky kolaps politik të zgjidhet në ditët në vijim dhe Kosova, si shtet i ri dhe i suksesshëm, ta formoj parlamentin dhe institucionet në mënyrë që të vazhdoj punën ashtu siç është më mirë për të ardhmen e saj./RTK/