E shtunë, 9 Gusht 2014
PDK-ja ka kohë që i ka bërë ofertë joformale Vetëvendosjes për bashkëqeverisje. Këtë e kanë pohuar zyrtarët e Vetëvendosjes, të cilat aktualisht e përjashtojnë një mundësi të tillë.
Në PDK nuk flasin për këtë çështje, por thonë se po punojnë për formimin e qeverisë së re. Analistët politikë e shohin të pamundshëm koalicionin PDK-Vetëvendosje, ndërsa theksojnë se vendi ka nevojë për një qeverisje që është stabile për sa u përket numrave në Kuvendin e Kosovës
Një koalicion PDK-Vetëvendosje për formimin e Qeverisë nga analistët shihet si diçka e mundshme teknikisht, sa i përket numrave, por jo edhe politikisht. Analisti Armend Muja thotë se një koalicion të tillë nuk e sheh të realizueshëm, ndonëse thekson se ai koalicion do të mund të shërbente si kundërpeshë potenciale.
“Teknikisht nëse shihet në bazë të numrave, mund të formohet, por sesa është reale, unë nuk besoj, për arsye se Vetëvendosje si lëvizje është formuar mbi dy premise e para ka qenë kundërshtimi i mënyrës se si ëshët bërë shtetformimi i Kosovës, dhe e dyta është establishmenti. Establishmenti ata e shohin pikërisht PDK-në që ka qenë si udhëheqëse e shtetformimit në Kosovë”, tha Muja për Radio Kosovën.
Ndonëse kanë pasur në vazhdimësi qëndrime politike diametralisht të kundërta, PDK-ja i ka bërë ofertë joformale Vetëvendosjes për bashkëqeverisje. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Vetëvendosjes, por që kanë thënë se PDK-ja aktualisht mbetet parti e papranueshme.
Ndërkohë, Radio Kosova ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët e PDK-së lidhur me këtë çështje, por asnjë prej zyrtarëve nuk ka dashur të flas. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Basri Musmurati, duke mos dashur të komentojë tha shkurtimisht se PDK-ja është duke e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa theksoi se PDK-ja po punon, e siç u shpreh ai, ata që i kanë punët mirë, nuk kanë çka të flasin.
Sidoqoftë, punët mirë, sipas analistëve, nuk i ka as PDK-ja si fituese e zgjedhjeve, që nuk po mund të gjejë partner qeverisës, e as blloku LDK-AAK-Nisma që po përballet me kushte si nga Vetëvendosje ashtu edhe nga Lista Serbe. Analisti Armend Muja thotë se vendit i duhet një qeverisje stabile për nga numrat, që të ballafaqohet me sfidat e qeverisjes, siç janë zhvillimi ekonomik, dialogu me Serbinë, integrimi në BE dhe lufta kundër korrupsionit.
“Këto janë katër sfida të cilat unë nuk besoj se mund të trajtohen pa një qeverisje të gjerë, e cila ka mandate të qartë për t’i adresuar këto”, tha Muja.
Një qeverisje e qëndrueshme, Muja thotë se do të mund të formohej nga një koalicion ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, ose nga futja e Vetëvendosjes në koalicion me bllokun LDK-AAK-Nisma.
Etiketa: Koalicion, Kosovë, Partia Demokratike, Vetëvendosje