E hënë, 1 Tetor 2018
Prishtinë – Katër muaj pasi Prokuroria e Gjakovës ngriti aktakuzë ndaj Endrit Shalës për posedim të paautorizuar të armëve, këshilltari i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Endrit Shala është emëruar sot ministër i Tregtisë dhe Industrisë.
Shala është anëtar i Kryesisë dhe sekretar për Marrëdhënie me Publikun në Nismën Socialdemokrate.
Mirëpo, Shala është bërë i famshëm në nëntor të vitit të kaluar kur u shfaq në një video teksa gjuante me armë zjarri nga oda e shefit të tij, Fatmir Limajt, në fshatin Banjë të Malishevës.
Në këtë skandal, për të cilin opozita kishte thirrur në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, janë të përfshirë edhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi dhe ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku. Në momentin kur Shala gjuajti me armë, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri Limaj.
Prokuroria e Gjakovës ngriti aktakuzë për mbajtje nën kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve ndaj Shalës, Lushtakut, Gashit dhe tre personave të tjerë në muajin maj të këtij viti.
Etiketa: Aktuale, Endrit Shala, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, NISMA