Antologjia Aleppo, projekt i Tyran Prizren Spahiu dhe 67 poetëve shqiptarë


E mërkurë, 8 Shkurt 2017

Një antologji e dhimbjes

Të këndosh përmes dhimbjes e përmes saj të kërkosh shpresën, dritën e agut dhe lirinë. Kjo është metafora e përgjakur e Alepos në Sirinë e martirizuar nga lufta e përgjakshme, ku gjithçka masakrohet në një çmenduri lufte të pa preçedent dhe të egër. Vriten jëtë njerëzish, vriten fëmijë dhe ëndrra, vritet e sotmja dhe e nesërmja…

Nga Vasil TABAKU

Është ndoshta drama dhe tragjedia më e madhe e këtij shekulli që luhet në Sirinë e martirizuar nga krimi dhe terrorizmi absurd. Një grup poetësh të thirrur, me mjaft dhimbje dhe dashuri në një antologji poetike për Alepon tragjike, kanë shkruar me pasion, art dhe përkushtim, poezi për këtë dramë të madhe të njerëzimit.

Poeti dhe studiuesi i njohur Tyran Prizren Spahiu, me një nismë mjaft njerëzore ideoi këtë antologji të veçantë, pse jo dhe mjaft tronditëse, e cila do të mbetet si një apel i madh e i fuqishëm drejtuar njerëzimit dhe Botës:
– Mjaft më me luftë, vrasje dhe terror. Mjaft më vrasjes së fëmijëve të pafajshëm, mjaft më lënies jetim të mijëra e mijëra fëmijëve dhe shkatërrimit të ëndrrës së tyre për një jetë të lirë e normale.
Mjaft më…

Poezitë janë të drejtpërdrejta, të sinqerta dhe mjaft njerëzore, janë shkruar me shumë çiltërsi, sinqeritet dhe pasion. Natyrisht në këto poezi dominon humanizmi, por edhe arti i lartë dhe poezia cilësore. Ndjehet përgjegjëshmëria e çdo autori për të ligjëruar bukur edhe pse dhimbja është dërrmuese dhe tronditëse. Vargje me imazhe rrënqethëse, drithëruese dhe tronditëse, të cilët trokasin nëpër shpirtërat njerëzor dhe kërkojnë paqe dhe mirësi, kërkojnë dritë dhe liri. Asgjë nuk e justifikon dhunën, aq më tepër vrasjen e fëmijëve. Alepo është një tragjedi e kohëve moderne, atëhërë kur projektohen udhëtime kozmike drejt Universit, në zemër të Sirisë ndodh një tragjedi e papërshkrueshme, makabre, që trondit themelet e lirisë dhe dashurisë njerëzore. Misioni i Antologjisë padyshim është ti thotë NDAL çdo lufte, çdo tragjedie dhe tmerri me pasionin makabër të terrorit.

Antologjia në vetvete ndërton një botë të jashtëzakonshme shpirtërore, mbushur me dhimbje dhe dashuri, me shpresë për jetën dhe ëndrra për LIRINË e vërtetë. Opusi i autorëve të përfshirë këtu padyshim është mjaft i gjerë më një shtrirje nga Shqipëria, Kosova. Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora. Në të gjitha format kjo antologji poetike është mjaft njerëzore dhe domethënëse, pa asnjë pretendim për lavdi apo emër në fushën e artit të mrekullueshëm të poezisë, është një apel i fuqishëm që buron nga shpirti i këtyre poetëve të mrekullueshëm dhe mjaft të përkushtuar, për një apoteozë LIRIE dhe DRITE në Sirinë e martirizuar dhe ALEPON e gjunjëzuar nga dhimbja dhe terrori.
Mendoj se shumë nga poetët e kanë konceptuar krijimin e tyre si një metaforë paqeje dhe lirie, për të qënë me zemër sa më pranë dhimbjes gjigande në Alepo. Dhe padyshim të gjithë autorët pjesmarrës, ia kanë arritur qëllimit si shpirtërisht ashtu dhe artistikisht për të ndërtuar këtë antologji të veçantë. Në të gjitha poezitë dominon shpresa për një ditë më të mirë, të lirë dhe plot diell paqeje dhe padyshim që kjo do të bëhët realitet në Alepo duke i dhënë sirianëve të martirizuar nga lufta e verbër terroriste, gjithë dashurinë e njerëzimit dhe paqen e vërtetë.

E parë në kontekstin e realizimit artistik, mendoj se është një antologji më tepër shpirtërore, me tone të fuqishme dhimbjeje dhe dashurie, thirrjeje për paqe dhe ëndrrës për një Siri të lirë.

Autorët pjesëmarrës, janë padyshim emra mjaft tingëllues, të njohur dhe kontribues në fushën e poezisë së re moderne shqiptare. Shumë prej tyre janë autorë librash të suksesshëm dhe mjeshtëra të vargut poetik. Kjo gjë e bën antologjinë poetike për ALEPON, një libër me vlera, kontribues i fuqishëm në vlerat e poezisë bashkëkohore, por mbi të gjitha një libër mjaft interesant dhe me vlera unikale në letërsinë e re shqiptare. Natyrisht antologjia e ka thuajse të përcaktuar tematikën e vetë poetike, por ajo është e larmishme nga stilet, vargjet, figuracioni dhe profili poetik i çdo autori pjesmarrës. Mjaft fuqishëm shpalosen metaforat dhe figurat e tjera poetike, apeli njerëzor dhe zëri plot shpresë i autorëve debutues.

Mendoj gjithashtu se antologjia dallohet për një larmishmëri stilesh poetike dhe zërash poetik, interesant e të njohur që ngërthejnë me mjaft dinjitet këtë dramë tronditëse dhe mjaft tragjike. Në fillim të shekullit 21, atëherë kur liria është e drejtë e gjithkujt, kur paqja është jeta e çdo individi dhe e drejta për të jetuar është e drejta e madhe e ZOTIT, apeli i fuqishëm i autorëve kontribues në këtë antologji poetike për ALEPON mbetet një monument i mrekullueshëm për popullin sirian dhe njerëzimin. Poezitë e kësaj antologjie do të gdhenden me shumë dhimbje në zemrën e çdo siriani dhe banori të Alepos por edhe të të gjithë njërëzve të thjeshtë dhe të ndershëm, njerëzve të lirisë, paqes dhe dashurisë.

Falenderoj edhe njëherë ideatorin e kësaj antologjie Poetin dhe studiuesin e njohur TYRAN PRIZREN SPAHIU dhe gjithë autorët pjesmarrës në këtë antologji të mrekullueshme dhe tronditëse.

Etiketa: ,
Të fundit