Anulohet takimi i paraparë për lëvizjen e lirë


E enjte, 3 Tetor 2013

Delegacioni i Kosovës, i drejtuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka vazhduar takimet e dialogut të Brukselit, ku gjatë ditës së djeshme është mbajtur takimi për çështjen e zbatimit të marrëveshjes për doganat, ndërsa takimi i paraparë për sot për çështjet e lëvizjes së lirë nuk është mbajtur me fajin e palës serbe, e cila ka anuluar pjesëmarrjen në takim.

Në takimin për çështjen e doganave i cili u mbajt në formatin dypalësh mes Kosovës dhe BE-së, është biseduar për procesin e zbatimit të marrëveshjes për doganat, e cila përcakton obligimet e pagesës së taksave doganore nga të cilat ka pasur shmangie për një kohë të gjatë në dy pikëkalimet kufitare të pjesës veriore të kufirit ndërshtetëror me Serbinë.

Po ashtu, është biseduar për përgatitjet që janë duke u bërë nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me themelimin e Fondit për Zhvillim në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Në këtë takim edhe njëherë delegacioni i Kosovës ka kërkuar angazhime shtesë nga Bashkimi Evropian për zgjidhjen e pengesave për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe në veçanti të zyrtarëve doganor dhe policor në rrugën drejtë pikës doganore në Bërnjak.

Po ashtu, sot në Bruksel ishte paraparë të mbahej edhe takimi për çështjen e lëvizjes se lirë. Në ketë takim është dashur të diskutohen çështjet e pengesave të krijuara lidhur me ekstrakte personale për përdorim në kalimet kufitare në mes të dy vendeve, hapja e pikave të reja kufitare ku qytetarët e Republikës së Kosovës mundë të hynë apo kalojnë nëpërmjet territorit të Serbisë.

Në ketë takim pika të veçanta për diskutim kanë qenë edhe heqja e pengesave për lirinë e lëvizjes në pjesën veriore të Kosovës, me theks rruga në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak, ku ende barrikadat e vendosura nga grupe kriminale pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve, zyrtarëve qeveritarë dhe të institucioneve ndërkombëtare. Mirëpo ky takim u anulua dhe sipas njoftimeve zyrtare nga BE-ja shkak për anulim ka qenë refuzimi i palës serbe që të marrë pjesë në takim.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri përbëhej nga Qemajl Marmullakaj, zyra e Kryeministrit, Shaban Guda, drejtor i policisë kufitare, Abedin Mehmeti, drejtor i ARC dhe Elona Cecelia, këshilltare politike.

 

 

Etiketa: , ,
Të fundit