E mërkurë, 24 Qershor 2026

Gjykata e Apelit ka vënë pikën përfundimtare në shkallën e dytë të gjykimit për aksidentin tragjik të nëntorit 2022 në Jashanicë të Klinës, ku humbi jetën kadeti policor F.Sh., duke lënë në fuqi dënimet e shqiptuara ndaj Arton dhe Nezir Durakut.
Sipas vendimit të përpiluar më 4 mars 2026, Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë, palës së dëmtuar, si dhe të mbrojtjes së të akuzuarve, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Arton Duraku është dënuar me dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Duraku me 10 muaj burgim.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Pejë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, av. Salih Mekaj, e të dëmtuarit E.Sh. dhe mbrojtësit të akuzuarit Arton Duraku, av. Shefqet Ibrahimi dhe të akuzuarit Nezir Duraku, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Pejë, PKR.nr.22/2025 i datës 19.11.2025, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi” transmeton Klankosova.tv.
Prokuroria kishte kërkuar ndryshimin e aktgjykimit dhe shqiptimin e dënimeve më të ashpra, duke pretenduar se kishte shkelje procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të ligjit penal. Po ashtu, dënime më të rënda kishin kërkuar edhe përfaqësuesi i familjes së viktimës dhe i dëmtuari E.Sh.
Në anën tjetër, mbrojtja e Arton Durakut kishte kërkuar uljen e dënimit për veprën e parë dhe lirimin nga akuza për veprën e dytë, ndërsa Nezir Duraku kishte kërkuar lirimin nga akuza ose kthimin e rastit në rigjykim.
Kolegji i Apelit, i përbërë nga gjyqtarët Mentor Hajra, Xhevdet Abazi dhe Valbona Musliu-Selimaj, vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë dhe se nuk ka pasur shkelje të ligjit penal.
Sipas Apelit, Gjykata Themelore ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për rikualifikimin e veprave penale nga forma e dashjes eventuale në atë të pakujdesisë. Ky përfundim është mbështetur kryesisht në super-ekspertizën e komunikacionit, e cila ka konstatuar se Arton Duraku kishte ndërmarrë veprime për shmangien e aksidentit, por përplasja kishte ndodhur për shkak të tejkalimit të shpejtësisë dhe kalimit në korsinë e kundërt.
Lidhur me veprat penale të mosdhënies së ndihmës, Apeli ka vlerësuar se rikualifikimi në formën bazë të këtyre veprave është i drejtë, pasi eksperti mjeko-ligjor ka konstatuar se viktima kishte ndërruar jetë brenda një kohe shumë të shkurtër nga gjakderdhja masive. Për këtë arsye, sipas gjykatës, nuk janë plotësuar kushtet për formën e kualifikuar të veprave penale.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se, megjithëse të akuzuarit e kishin parë viktimën të gjallë dhe kishin dëgjuar thirrjet e tij për ndihmë, ndihma eventuale nuk do të kishte pasur efekt shpëtues për shkak të natyrës së lëndimeve.
Sa i përket dënimeve, Apeli ka vlerësuar se ato janë proporcionale me rrethanat e rastit. Si rrethana lehtësuese janë marrë parasysh fakti se të akuzuarit nuk kishin qenë të dënuar më parë, ndërsa si rrethana rënduese janë konsideruar mosha e re e viktimës, fakti se ai ishte baba i një fëmije të mitur, largimi nga vendi i ngjarjes pa ofruar ndihmë dhe përpjekjet për fshehjen e veprës penale.
Për Nezir Durakun, si rrethanë rënduese shtesë është vlerësuar shkalla e lartë e dashjes në kryerjen e veprës penale, largimi nga vendi i ngjarjes dhe përpjekjet për fshehjen e rastit pas aksidentit.
Ndërkohë, ankesa e të dëmtuarit E.Sh. për baza të tjera ankimore, përveç vendimit mbi dënimin, është hedhur poshtë si e palejuar në bazë të nenit 381 paragrafi 3 të Kodit të Procedurës Penale.
Rasti kishte kaluar nëpër disa faza gjyqësore. Në gjykimin e parë, Arton dhe Nezir Duraku ishin dënuar me gjithsej 15 vjet burgim. Ky vendim ishte konfirmuar nga Apeli, por më pas ishte anuluar nga Gjykata Supreme, e cila e kishte kthyer çështjen në rigjykim.
Pas disa procedurave të rigjykimit, Gjykata Themelore në Pejë më 4 nëntor 2025 e dënoi Arton Durakun me 5 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Durakun me 10 muaj burgim, dënime që tashmë janë konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Sipas aktakuzës, aksidenti kishte ndodhur më 21 nëntor 2022 në fshatin Jashanicë të Klinës. Arton Duraku, pa patentë shoferi, po drejtonte një kamion të paregjistruar dhe teknikisht të parregullt, me shpejtësi mbi kufirin e lejuar. Ai kishte kaluar në korsinë e kundërt dhe me rimorkion e kamionit kishte goditur automjetin “Opel” që drejtohej nga kadeti policor F.Sh., i cili humbi jetën si pasojë e lëndimeve të marra.
Sipas aktakuzës, pas aksidentit Arton dhe Nezir Duraku kishin dalë nga kamioni, ishin afruar te viktima, por nuk i kishin ofruar ndihmë dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Burimi: klankosova
