E diel, 30 Prill 2017
“Të gjithë arbëreshët janë heronj. Ata që thonë të kundërtën nuk e njohin historinë”. Xhuzepe Garibaldi (1807-1882)
Shqiptarët me pjesëmarrjen e tyre aktive e dhanë një kontribut të madh në lëvizjet kombëtare në Europën e shek.XIX-të ,pjesëmarrje e cila mund të quhet edhe fenomen historik i kohës i një rëndësije të veçantë që e rradhit atë në popujt më heroikë.
Të kthehemi tek Revolucioni i Greqisë -1821 , pastaj në luftën për pavarësinë e Rumanisë , formësimin e Serbisë dhe të Malit të Zi. Por sot e kemi fjalën për një çlirim dhe bashkimin tjetër të madh – të Italisë.
Pas Skënderbeut ,shek XV-të shqiptarët gjetën strehim në tokat e Italisë. Ata u shpërndanë nga Abruzio e deri në Siçili. Aty u gjenden edhe të parët, pasardhësit e Ilirëve.
Shqiptarët me Lëvizjen e Garibaldit të vitit 1860 e çuan Italinë në bashkimin dhe pavarësimin e saj. Atdheu i dytë i arbëreshëve në vitet 1844 dhe 1848 u ballafaqua me kryengritjet e mëdha, në të cilat shqiptarët ishin pjesë e rëndësishme e betejave të përgjakshme dhe si të tillë edhe u burgosën edhe u persekutuan, u pushkatuan dhe u varën me thirrjen në gojë : “Rroftë liria, rroftë Italia”.
Tirania e Burbonëve i nxiti në luftë kundër tyre eshe arbëreshët si Paskuale Bafa dhe Xhuzepe Albanezi, te cilët u ndodhën edhe në qeverinë e shpallur të Republikës së Napolit -1799.
* Gjatë luftës për mbrojtjen e Republikës së Romës, Garibaldit i shkoi mendja tek Anita, që e kishte lënë në Nicë. Mori penën dhe i shkroi këto rreshta:
“Anita ime e dashur… Ne luftojmë mbi Xhanikolo. Ky popull është i denjë për të kaluarën e tij të madhe. Këtu njeriu di të jetojë, di të vdesë, këtu njerëzit vriten me thirrjen “Rroftë Republika”. Vetëm një orë nga jeta jonë në Romë vlen sa një shekull. E lumtura nëna ime që më lindi në një epokë kaq të bukur për Italinë!…”
E shoqja, që ishte grua guximtare, e gjeti rrugën për të hyrë në qytetin e rrethuar. Dy ditë më vonë, mbi Xhanikolo u duk një grua që u ndal dhe po fliste me ushtarët. Njeri prej tyre i tregoi se ku ndodhej Garibaldi. Ky në këtë çast, ktheu kokën dhe, si në një ëndërr gëzimi u turr drejt së shoqes së adhuruar dhe e shtrëngoi në gjoks. Pastaj e mori për dore dhe u kthye nga shokët:
– Ja Anita ime, këtej e tutje do të kemi një ushtar më shumë. ( nga Arbëreshët dhe Bashkimi i Italisë)
*“Në vitin 1859 nisi lufta e dytë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë.
Kësaj here doli në skenën e historisë Xhuzepe Garibaldi, udhëheqësi legjendar i luftërave për liri të popujve të robëruar. Ai erdhi në Itali pas një përvoje të pasur luftarake dhe u vu në shërbim të shtetit të Piemontit për të përgatitur fushatën kundër pushtuesve austriakë. Garibaldi, i kthyer tanimë në një figurë simbol, do të ngjallte shpresat e italianëve për çlirim e bashkim dhe qindra patriotë do të viheshin nën urdhrat e tij. Heroi legjendar zuri të përgatitej për luftën e madhe që e priste. Sipas strategjisë së tij, kjo do të ishte një luftë globale, që do të përfshinte gjithë Italinë e copëzuar. Për këtë, ai filloi të përgatitet duke ideuar një fushatë ushtarake, që do të niste me zbarkimin e një ekspedite në brigjet e Sicilisë. Në projektimin dhe realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe historike do të luanin një rol të rëndësishëm revolucionari italian, Roselino Pilo dhe ai arbëresh, Françesko Krispi.” (Arjan Th. Kallço)
Në kronikën e kohës është regjistruar dhe një fakt tjetër kuptimplotë: vajza arbëreshe nga Piana, Xhovana Peta, do të shkonte në Palermo me flamurin italian fshehur në gji dhe do ta valëviste pas fitores së kryengritjes në qiellin e lirë të kryeqendrës së Sicilisë.
Siç dihet, me betejën e Kasertos, më 2 tetor 1860 mori fund fushata e lavdishme e Garibaldit, që hodhi themelet e pavarësisë dhe bashkimit të Italisë. S’ka dyshim se bilanci i kontributit arbëresh në këtë ngjarje të madhe historike për fatin e Italisë është i padiskutueshëm dhe i admirueshëm. Këta pasardhës të Skënderbeut, jo vetëm nderuan emrin e tij dhe të atdheut të origjinës, por treguan me prova dashurinë dhe besnikërinë e tyre proverbiale ndaj popullit dhe tokës mikpritëse. “Gjatë Risorxhimentos, – shkruan historiani Cezaro Lambrozo, – arbëreshët e Italisë dhanë luftëtarë trima, derdhën gjak, bënë sakrifica të panumërta, manifestuan virtyte të larta, u treguan qytetarë të denjë të atdheut të tyre të dytë”.
** Mungesa e delegacionit të Serbisë më rastin e festimeve për 150 vjetorin e Bashkimit të Italisë, sigurisht që nuk do të vihet re nga vetë italianët. Nga ana tjetër, prania e dy delegacioneve me zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Shqipëria do të shihet si dicka e natyrshme jo vetëm se tani shqiptarët kanë dy shtete por sepse i natyrshëm ka qenë edhe kontributi i shqiptarëve ndër vite për Bashkimin e Italisë.**
(Kontributi i shqiptarëve në bashkimin e Italisë, Ilirian Dahri 2011 )
Vetë Heroi i dy botëve e kujton këtë fakt në kujtimet e tij: “Nga asnjë vend tjetër i botës nuk mund t’ia dilnim me sukses në marshimin tonë, përvecse nga Hora e Shqiptarëve”. Pra që në fillimet e tij Xhuzepe Garibaldi u mbështet tek arbëreshët të cilët më pas do ti cilësonte trima.
Xhuzepe Garibaldi u lind në Nicë më 4 korrik 1807, vdiq në ishullin Caprera më 2 qershor 1882, revolucionar dhe luftëtar për lirinë dhe bashkimin e Italisë.
*** Pas rënies së Republikës së Romës, Garibaldi me vullnetarët e tij filluan tërheqjen e tyre heroike. Ai me këtë rast iu tha ushtarëve:”Luftëtarë, ja çfarë ju afroj atyre që duan të më ndjekin pas: uri, të ftohtë, mungesë strehe, mungesë municioni, por gjithnjë syhapur në beteja dhe pa gjumë, marshime të gjata dhe përleshje me bajoneta. Tani kush e do atdhenë le të më ndjekë pas.” Kësaj thirrjeje iu drejtuan katër mijë vullnetarë, që ndoqën pas heroin e tyre.
Etiketa: arbereshet, shqiptaret e italise