E martë, 19 Nëntor 2013
The New York Times
-Plani për të nxjerrë mbetjet e armëve kimike siriane jashtë vendit në javët në vazhdim, ka ngritur shqetësime të mëdha në Uashington, pasi ky plan parashikon transportin e tyre përmes rrugëve, të cilat janë kthyer në fushëbeteja për shkak të luftës civile. Gjithashtu, edhe nëse transporti i armëve përmes këtyre rrugëve del i suksesshëm, ngarkimi në mjetet lundruese përbën një shqetësim të dytë, sepse ende nuk ka asnjë destinacion se ku mund të shkojnë këto armë, pasi asnjë vend nuk i ka marrë përsipër. Garancinë për transportin e tyre deri tek anijet e ka marrë ushtria qeveritare siriane. Analistët e inteligjencës amerikane dhe zyrtarë të Pentagonit, thanë për “New York Times” se ngarkesat e mbetjeve të armëve kimike janë mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve të jashtme, qoftë të rebelëve apo organizatave terroriste, teksa do të duhet të kalojnë përmes fronteve të luftës civile, e cila ka 2 vjet e gjysmë që ka nisur. I pyetur se cili do të jetë plani rezervë nëse ngarkesat me lëndë kimike sulmohen nga forcat opozitare të lidhura me “Al Qaeda-n”, apo nga elementë të forcave qeveritare të Assad-it, një zyrtar i lartë amerikan tha se ky përbën një shqetësim serioz. “Ky është një problem serioz. Askush nuk ka tentuar ta bëjë një gjë të tillë më parë dhe askush nuk dëshiron që të dërgojë trupa në terren për të mbrojtur lëndët kimike nga këto sulme”, – tha ai. Një tjetër zyrtar i lartë amerikan tha se SHBA-të dhe vendet e tjera janë përpara dy zgjedhjeve të vështira. Ose do t’i lënë lëndët kimike aty ku janë dhe të shpresojnë për më të mirën, ose do t’i mbledhin për t’i nxjerrë jashtë vendit, duke shpresuar sërish për më të mirën. “Kjo e fundit është edhe e keqja më e vogël”, – siç u shpreh ai. Një grup zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të administratës amerikane dhe Pentagonit, kanë diskutuar kohët e fundit mbi rrezikun e lëvizjes së armëve kimike të Sirisë. Pjesa më e madhe e zyrtarëve u treguan të gatshëm që të shfaqnin shqetësimet e tyre për këtë operacion, për shkak se kjo çështje është mjaft delikate. Edhe nëse lëndët kimike arrijnë që të ngarkohen në anijet e mallrave në mënyrë të sigurt, brenda afateve të përcaktuara, siç janë 31 dhjetori për mbetjet me rrezikshmëri të lartë dhe 5 shkurti për ato me rrezikshmëri të ulët, problemet zor se mund të mbarojnë aq lehtë. Të premten e javës së shkuar, Shqipëria refuzoi kërkesën e SHBA-ve për të asgjësuar armët kimike të Sirisë në territorin e saj. Norvegjia e publikoi refuzimin e saj më herët, duke argumentuar se nuk ka ekspertizën e nevojshme për të ndërmarrë një operacion të tillë. Si rezultat, armët kimike të Sirisë mund të lundrojnë në det të hapur për një kohë shumë të gjatë, deri sa të gjendet një vend, i cili mund të marrë përsipër shkatërrimin e tyre.
Gjithashtu, ka shqetësime se këto anije që do të ngarkohen me armët kimike mund të pësojnë fatin e anijes të ngarkuar me plehra që la “Long Island-in” e Nju Jorkut në vitin 1987 dhe u desh të sorollatej nëpër det për katër muaj pa destinacion. Ligji amerikan e ndalon importin e armëve kimike brenda territorit të shtetit federal, ndërsa Rusia është tërhequr me pretendimin se ka ende mbetjet e saj kimike pa trajtuar. Shqetësimi më i madh deri tani është se gjatë 6 javëve të ardhshme, 600 tonë lëndë kimike, të cilat janë depozituar në kontejnerë 1 deri në 2 tonësh, do të shndërrohen në objektiva të mëdhenj, të ngadaltë dhe mjaft të lehtë për grupet e luftëtarëve rebelë që luftojnë kundër Assad-it. “Faza e transportit të këtyre materialeve është pjesa më kritike dhe që përbën rrezikshmërinë më të lartë”, – tha një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Duket se ushtria siriane e ka kuptuar mjaft mirë vështirësinë e këtij operacioni. Gjatë fundjavës, u raportua se rrugët që lidhin Damaskun me bregdetin do të jenë arenë luftimesh. Ideja fillestare e SHBA-ve ishte që të evitohej transporti i plotë i armëve. Planet e hershme, të cilat u diskutuan rreth një vit më parë, ishin për shkatërrimin e armëve brenda territorit të Sirisë. Por ky plan kërkonte edhe angazhimin e një numri të madh të trupave ushtarake nga jashtë vendit. Gjithashtu, ngritja e punishteve për shkatërrimin e armëve kërkon disa vjet. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila publikoi planin për nxjerrjen jashtë vendit të tyre ditën e premte, pritet që të trajnojë pjesëtarë të ushtrisë siriane për të paketuar, transportuar dhe ruajtur armët kimike. Mirëpo pas ngarkimit të tyre në anijet përkatëse, lind sfida e të gjendurit të një destinacioni. “Ky plan regjet të arrijë objektiva thuajse të paarritshëm”, – tha Ahmet Uzumcu, drejtori i Përgjithshëm i Organizatës. “Faza e transportimit dhe e ruajtjes së tyre përbën sfidën më të vështirë”, – shtoi ai. /Përgatiti Erald Deliu/
Armët kimike të Sirisë, Belgjika refuzon
Belgjika refuzon shkatërrimin e armëve kimike brenda territorit të saj. Ministri belg i mbrojtjes, Piter de Krem ka deklaruar se Belgjika është e gatshme të ndihmojë në shkatërrimin e armëve kimike siriane por e ka gjykuar si jo të volitshme që procesi të kryhet në territorin e saj. “Do të dëshiroja të bëja një përpjekje për të kontribuar në këtë drejtim, por kjo gjë tek ne, në pamje të parë dhe për një plan afatgjatë, nuk jam dakord”, – bëri të ditur De Crem për radion flamande VRT. Ministri shtoi se Belgjika do të ishte e gatshme të kontribuonte në inventarizimin e armëve kimike. “Ne mund të propozojmë ndihmën tonë për t’i neutralizuar ato, por mendoj se kjo duhet të zhvillohet më mirë në rrethinat e largëta të territorit sirian. Zhvendosja e këtyre armëve është në vetvete një mision i vështirë”, – deklaroi ministri De Crem. Belgjika ka qenë një nga vendet, bashkë me Francën, që është kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në asgjësimin e arsenalit kimik sirian. Shqipëria, që gjithashtu është kontaktuar nga Uashingtoni, e përjashtoi të premten mundësinë për shkatërrimin e një pjese të arsenalit kimik në territorin e saj.
Basha: Antiamerikanizmi vetëm te mendja e Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, del sërish para medieve për të sqaruar pozicionin e selisë blu në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së, Basha deklaroi se: “nuk kishte asgjë më amerikane këto ditë se protesta e të rinjve. Shqipëria është dhe do të mbetet vendi më proamerikan. Shqipëria ka ndryshuar për të mirë, të gjithë e kemi detyrë të thellohemi për të kuptuar më mirë këtë Shqipëri të re të njerëzve të lirë. Vetëm mendja e tij mund të guxojë të ndërtojë antiamerikanizëm me vlerat e vetë demokracisë amerikane”. Ai deklaroi më tej se kryeministri Rama tentoi të luante me shqiptarët për interesa të ngushta personale. “Rama u detyrua të hiqte dorë nga ëndrra e tij për përfitime personale. Nga trajtimi i territorit të vendit si pronë private. Ky mentalitet thellësisht antidemokratik i kohës së shkuar, që zoti Rama tenton t’ia diktojë të tashmes dhe të ardhmes së vendit mori përgjigjen e merituar”,- vijoi Basha. Ai përgëzoi qëndrimin e të rinjve në protestë.
Masat disiplinore, nxënësit e “Çajupit” bojkot mësimit
Nxënësit e gjimnazit “Çajupi” në Tiranë bojkotuan dje mësimin duke kundërshtuar masat disiplinore të vendosura nga drejtori i shkollës, për braktisjen e mësimit dhe pjesëmarrjen në protestën kundër sjelljes së armëve kimike të Sirisë. Duke i cilësuar si të padrejta këto masa disiplinore, nxënësit theksojnë se shumica e atyre që u është thyer nota në sjellje, janë maturantë. Nxënësit shprehen se sipas rregullores atyre u lejohen të bëjnë 6 mungesa pa arsye dhe masat disiplinore të marra nga drejtori janë të padrejta. Ndërsa drejtori i shkollës, Vladimi Bodeci i zgjedhur që në kohën kur në pushtet ishin demokratët, është shprehur se vendimi i tij nuk është politik, por për të vendosur disiplinën në shkollë. “U kërkova nxënësve të ktheheshin në mësim dhe të dilnin të protestonin pasdite, por nuk pranuan”, – është shprehur drejtori i shkollës.
Armët kimike, Gjermania dhe Holanda përjashtojnë veten
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, e përjashtoi vendin e tij nga mundësia për të shkatërruar armët kimike të Sirisë. “Kur shikoj anën teknike, shtrirjen gjeografike, atëherë mendoj se një diskutim i tillë nuk ka kuptim”, – u shpreh ai. Ndërkohë ministri i jashtëm holandez, Frans Timmermans ka pohuar se askush nuk është treguar i gatshëm të marrë armët kimike. “Asnjë vend i BE-së nuk tha – në rregull, na i sillni ne armët kimike siriane”, – deklaroi ai. Pasi Shqipëria refuzoi të premten të merrte përsipër shkatërrimin e armëve kimike siriane, po ashtu edhe Franca, u konsideruan si kandidate e mundshme për ta realizuar këtë detyrë, pasi ky vend ka një histori të gjatë në shkatërrimin e armëve kimike nga Lufta e Parë Botërore. Organizata për Ndalimin e armëve kimike nuk i ka publikuar ende emrat e vendeve ku mund të shkatërrohen armët kimike siriane, por është shprehur e sigurt se do t’i asgjësojë këto armë deri në mes të vitit 2014. Norvegjia është shprehur se do të dërgojë anije për të ndihmuar në transportimin e armëve kimike.
SHBA shkatërron katër impiante
Në një kohë që në gjithë botën po diskutohet se ku do të dërgohen për tu shkatërruar armët kimike të Sirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkatërrojnë impiantet e asgjësimit të armëve kimike në 4 shtete. Impiantet ndodhen në Alabama, Oregon, Jutah dhe Arkansas. Sipas mediave amerikane, Pentagoni ka shpenzuar mbi 10, 2 miliard dollarë përgjatë tre dekadave të fundit duke djegur qindra tonë gaz nervin dhe armatime të tjera kimike në katër shtete amerikane, madje disa prej këtyre agjentëve ishin aq vdekjeprurës saqë edhe pak pika mund të vrisnin. Por tani që gjithë agjentët kimikë janë asgjësuar dhe komunitetet janë çliruar nga kërcënimi i tyre, ushtria amerikane ndodhet në mes të një projekti tjetër prej 1,3 miliardë dollarë që ka të bëjë me shkatërrimin e këtyre impianteve të quajtur ndryshe krematorë ku janë djegur materialet toksike. Në Alabama, Oregon, Utah dhe Arkansas, ekipet kanë nisur tashmë punën për shkatërrimin e krematorëve multi miliarda dollarësh ose po punojnë për t’i dhënë fund një drame që nisi gjatë Luftës së Ftohtë, kur SHBA-të dhe ish Bashkimi Sovjetik magazinuan mijëra tonë armë kimike. Puna ndërkaq vijon në dy vende të tjera ku do të përdoret një tjetër teknologji më e avancuar se ajo e krematorëve për të neutralizuar agjentët kimikë.
Ndotja, zbardhen 31 pikat e rrezikshme në Shqipëri
Zbardhet lista e 31 pikave të rrezikshme të quajtura ndryshe “hot spote” mjedisore të cilat u përmendën dhe nga kryeministri Edi Rama kur iu përgjigj negativisht kërkesës së SHBA për asgjësimin e armëve kimike të Sirisë. Sipas listës së detajuar të Ministrisë së Mjedisit janë parashikuar miliona dollarë nga Bashkimi Evropian, por dhe projekte të Holandës, Italisë, Gjermanisë apo Çekisë për pastrimin e një pjesë të këtyre pikave të rrezikshme mjedisore, por ato ende vijojnë të jenë në listën e zezë. Ministria e Mjedisit ka sqaruar se 10 prej këtyre pikave paraqesin rrezikshmëri të lartë si Albafilm, Tiranë; Fabrika e baterive, Berat; Miniera e Përrenjasit; Ndërtimet në minierën e Bitinckës; Ish-ndërmarrja e Dajtit,Tiranë; Mbetjet gurore, Guri i Kuq; Shkritorja e ferrokromeve, Elbasan; Vendgrumbullimi i pesticideve, Rrëshen; Fabrika e tekstileve, Berat dhe Metalurgjiku i Elbasanit. Për rehabilitimin e 10 “hot spoteve” nevojitet një investim kapital prej 70 mln euro, ndërsa kërkohet edhe mirëmbajtja dhe monitorimi vit për vit i situatës. Nga viti 2000-2011 është ndërhyrë vetëm në 7 pika të cilat nuk paraqesin më rrezikshmëri. Ndërkaq, viti 2020 është afati kohor për zhdukjen totale të këtyre zonave nëse do të gjenden donatorët financues apo nëse investohet nga shteti.
31 hot-spotet mjedisore
Impianti kimik, Durrës
Fabrika e PVC, Vlorë
Fusha e naftës, Patos, Marizë
Rafineria e naftës, Ballsh
Vendgrumbullimi i plehrave, Sharrë
Impianti i fetilizimit të nitratit, Fier
Fabrika e bakrit, Rubik
Metalurgjiku, Elbasan
Fabrika e fosfatit, Laç
Alb film studio sh.a, Tiranë
Ish-ferma shtetërore, Lukovë, Sarandë
Fabrika e baterive, Berat
Ish-Uzina e Traktorëve, Tiranë
Depo e pesticideve, Lushnjë
Ish-Ndërmarrja e Dajtit, Tiranë
Depo në Bejza, Shkodër
Ish-Fabrika e Plastikës, Lushnjë
Miniera e bakrit në të dy krahët e lumit Mat-Fan, Rrëshen
Miniera e bakrit, Kurbnesh
Zona e Rubikut
Zona e Rrepsit
Miniera e bakrit, Fushë-Arrëz
Minierat në Pogradec, Përrenjas, Guri i Kuq, Bitickë
Minierat e arit dhe të bakrit, Rehovë
Minierat e bakrit në zonat e Kalimash, Kukës, Gjelan
Shkrirja e Ferrokromeve, Burrel
Minierat e kromit në Batër, Bulqizë, Kalimash etj.
Qendra sanitare e pesticideve të skaduara, Lushnjë
Tanket e amortizuara me likuid NH3 dhe amonium bakri, Fier
Kimikatet e Lindan etj, spitali i Lushnjës
Pesticidet e skaduara
Planet e Al Qaeda-s
Një zyrtar i lartë amerikan tha se sfida më e madhe me të cilën po përballen sot është garantimi i sigurisë së armëve kimike gjatë transportit për në port. Liderët e “Al-Qaeda-s” në Pakistan dhe disa celula të tyre brenda Sirisë, kanë shprehur qartë dëshirën për të shtënë në dorë lëndë dhe materiale kimike të armëve siriane. Por gjithsesi, zyrtarët e lartë thonë se këto celula nuk kanë eksperiencën e duhur për t’i kthyer këto lëndë kimike në armë të shkatërrimit në masë.
Sulmet
Grupet militante në Irak dhe Afganistan kanë kaluar dekada të tëra për të perfeksionuar sulmet e tyre ndaj autokolonave ushtarake. Ata sulmojnë me bomba, armë zjarri dhe mortaja. Kjo do të thotë se këto grupe nuk kanë eksperiencën e duhur për të zënë në dorë armët kimike. Siç thotë ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, duhet finesë dhe jo forcë për të tilla operacione, pasi armët kimike mund të dëmtohen gjatë sulmit. “Al-Qaeda njihet për sulme brutale dhe me bomba, jo për grabitje më fine. Për të grabitur armët kimike duhet finesë”, tha ai.
Garancitë nga Siria
“Këto materiale kimike mund të vihen nën shënjestrën e çdo elementi opozitar”, – tha një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit. “Por ne kemi marrë raporte nga inteligjenca dhe OPCW-ja se regjimi i Assad-it e ka marrë mjaft seriozisht garantimin e sigurisë në këtë proces”. Një ish-zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, tha për gazetën se ndërkohë që siguria që mund të ofrojë qeveria siriane për këtë proces mund të duket jo bindëse për ndokënd, Siria ka treguar në të shkuarën një nivel sigurie të habitshëm në zhvendosjen apo transportin e këtyre materialeve përreth vendit, duke shmangur çdo lloj rreziku. Gjithashtu, ish-zyrtari tha se Rusia mund të luajë një rol kyç në këtë proces, duke qenë se është një aleate e Sirisë.
Marrëveshja SHBA-Rusi
Sipas marrëveshjes së arritur në shtator mes SHBA-ve dhe Rusisë, këta dy vende duhet të bashkëpunojnë ngushtë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, ndërsa qeveria siriane duhet të zbatonte një plan veprimi për të mbajtur larg çdo kërcënim të mundshëm ndaj armëve kimike. Kjo e fundit duhet të sigurojë që armët kimike të bëhen të papërdorshme, pra të çaktivizohen. Agjentët kryesorë të armëve kimike të ndahen në mënyrë që të mos përdoren më si armë.