E diel, 30 Prill 2023
GJILAN – Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar dy mjek në komunën e Gjlanit, pasi të njëjti sipas policisë, dyshohet se kanë kërkuar ryshfet për të kryer ndërhyrje.
Sipas policisë, anesteziologu dhe kirurgu dyshohet se kanë marrë ryshfet në vlerë 430 euro për të kryer një ndërhyrje. Ndërsa kirurgu kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë”, thuhet në njoftim.
“Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar”.
Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh.
Etiketa: Arrestime, Shëndetësi