Arrestohen dy kosovarë, dyshohet se nga Maqedonia e Veriut futën ilegalisht tre indianë në Kosovë


E mërkurë, 3 Qershor 2026
Arrestohen dy kosovarë, dyshohet se nga Maqedonia e Veriut futën ilegalisht tre indianë në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona në pikën kufitare të Hanit të Elezit, nën dyshimet për kontrabandim me migrantë.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur të martën, rreth orës 21:30, me ç’rast është vërejtur një person duke shoqëruar në këmbë tre persona të tjerë nga fshati Bllacë në Maqedoninë e Veriut, në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.

“Personat e dyshuar, pasi kanë kaluar ilegalisht vijën kufitare, me të arritur në rrugën ndërmjet dy pikë kalimeve kufitare, kanë vazhduar lëvizjen me një automjet që dyshohej se ishte duke i pritur.”, thuhet në njoftim.

Sipas forcave të rendit, si rezultat i veprimeve të njësiteve patrulluese kufitare është arritur të ndalohet automjeti i dyshuar, në të cilin ndodheshin dy shtetas të Kosovës, si dhe tre migrantë shtetas të Indisë, të cilët janë kapur në flagrancë gjatë kontrabandimit.

“Me urdhër të prokurorit kompetent është iniciuar rasti “Kontrabandim me migrantë”, përderisa njëri nga personat e dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në njoftim.

Tre migrantët, sipas policisë, janë dërguar në Qendrën e Pritjes për Migrantë, ku janë trajtuar nga njësia për Migrim dhe të Huaj.

Gjithashtu, me urdhër të prokurorit, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar automjeti i dyshuar me targa vendore, si dhe një telefon mobil. /Klankosova.tv


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit