Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Arrihet marrëveshja me deputetin Hoxha, Kurti ia siguron votën e 80-të Vjosa Osmanit

Prizren Post | 16:49 - 04.04.2021

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Në takimin e sotëm me deputetin Adem Hoxha nga Partia Unike e Goranëve (Jedinstvena Goranska Partija), Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen dhe votën e këtij deputeti në seancën e sotme të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.

Telegrafi merr vesh se marrëveshja mes Kurtit dhe deputetit Hoxha është arritur para pak çastesh në një takim të zhvilluar mes tyre në Prishtinë.

Ndonëse, nuk janë bërë të ditura detajet e marrëveshjes, zyrtarë të Partisë Unike të Granëve kanë bërë të ditur për Telegrafin, se deputeti Hoxha ka reflektuar, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë në të cilën gjendet vendi si pasojë e pandemisë.

“Për shkak të gjendjes së rëndë me pandeminë dhe ekonominë dhe duke mos dashur të bllokojmë krijimin e institucioneve nuk dëshirojmë ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Prandaj, do të marrim pjesë në seancën ku do të votohet për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë zyrtari i kësaj partie për Telegrafin.

Sipas të njëjtave burime edhe të shtunën ishte mbajtur një takim mes Hoxhës dhe Kurtit, por nuk ishte arritur marrëveshja, që ky deputet të marrë pjesë në seancën ku do të votohej për presidentin e Kosovës, pasi Kurti nuk kishte ofruar asgjë në kompensim për votën.

Mësohet se kërkesat e kreut të partisë së goranëve për ta dhënë votën për kandidaten për presidente ishin modeste dhe kishin të bëjnë me disa poste në kabinetin qeveritar.

Me votën e siguruar nga deputeti i partisë së goranëve, pritet që në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, të paraparë për sot në orën 17:00, të marrin pjesë 83 deputetë. Ndërsa, votën në kuti pritet ta hedhin 80 prej tyre, pasi tash dihet se tre deputetë të LDK-së, Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj, ndonëse do të jenë në seancë nuk do ta hedhin votën e tyre në kuti, ashtu siç kanë vepruar edhe të shtunën. /Telegrafi/


Bëni një koment