Artan Hoxha: Edi Rama si xha Sulo te filmi “Kapedani”


E diel, 18 Gusht 2013

TIRANE – Artan Hoxha, analisti i njohur me bindje të djathta, kandidati për President i Republikës, e njëri ndër kritikët e kundërshtarët publikë më të fortë ndaj kryeministrit të zgjedhur dhe kreut të PS Edi Rama, ka komentuar mbledhjen e qeverisë në Vlorë. Teksa thotë se Rama është i fiksuar pas formës, duke akuzuar se Rilindja është rrëzuar përderisa është në një bashkëjetesë në qeverisje me ish-patericën e atij që ai e quan regjim, Hoxha bën krahasim të Ramës me ëndrrat e xha Sulos.

“Edi Rama është fiksuar në ekstrem pas formës. Shkroi Kurban-in para Rilindjes, shpalli Rilindjen, evokoi përmbysjen e regjimit, kandidoi në emër të saj në Vlorën e Pavarësisë dhe po kështu mbledh kandidatët për ministra në Vlorë. Por e gjithë kjo simbolikë, sado insistuese, nuk mbulon faktin që Rilindja mbeti në vendnumëro dhe i duhet të bashkëjetojë me ish-patericën e regjimit dhe pjesën e politikës së vjetër.

Ndaj të gjitha këto që bën Edi Rama më kujtojnë ëndrrën e xha Sulos tek filmi Kapedani, i cili në ëndërr lufonte kundra turkut, grekut, italianit e gjermanit bashkë…”, deklaroi për gazetën “Shqiptarja.com”, Artan Hoxha. I cili është shprehur në mënyrë simbolike dhe ai në lidhje me takimin e kreut të zgjedhur të qeverisë Edi Rama me kabinetin e tij qeveritar më 21 dhe 22 gusht në qytetin e Pavarësisë Vlorë. Sipas burimeve, mbledhja e qeverisë së re të kryesuar nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama do të mbahet në një nga sallat e hoteleve më të mira të qytetit të Vlorës.

Duke qënë se mbledhja e qeverisë do zgjasë dy ditë, më 21 deri më 22 gusht, tashmë janë marrë masat për akomodimin e të gjithë pjesmarrësve, pra kryeministrit Edi Rama, zv.kryeministrit Niko Peleshi dhe të 19 ministrave të kabinetit të ri qeveritar në një nga hotelet më të mira, pikërisht “Internacional” në afërsi të Skelës në Vlorë ndërkohë që akomodimi do të bëhet te hotel “Nju Jork” në afërsi të tunelit të Ujit të Ftohtë, ku janë prenotuar mbi 30 dhoma.

Vendimi për zhvillimin e mbledhjes në qytetin e Vlorës është marrë nga kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, që kërkon të japë një mesazh të rëndësishëm simbolik, i cili ka lidhje me qytetin ku 100 vjet më parë lindi shteti shqiptar. Në këtë mbledhje, ku për herë të parë ministrat e PS do të ulen së bashku me ata të LSI për të nisur punën, pritet të përçohen edhe mesazhet kryesore të Ramës për kabinetin e ri qeveritar dhe punën që e pret.

Mbledhja e kabinetit të ri qeveritar që pret të marrë detyrën në shtator, do të ketë më shumë karakter simbolik dhe mediatik, në kushtet kur ministrat e qeverisë së re pritet të betohen në Parlament në ditët e para të shtatorit, pasi të nisë edhe legjislatura e re parlamentare. Ndërkohë që pritet të diskutohet në lidhje me programin e 300 ditëve të realizuar nga Beqja dhe Haxhinasto. Në Vlorë mbledhje qeverie ka bërë dhe Berisha në fund të vitit 2012, po simbolikisht.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com 18.08.2013