E mërkurë, 29 Qershor 2016
Ankara – Artileria turke dhe forcat ajrore të koalicionit kanë kryer sulme të reja mbi pozicionet e organizatës terroriste DAESH në veri të Sirisë, me ç’rast kanë shkatërruar 15 objektiva të terroristëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë turke njofton se sistemet e radarit dhe njësitë vëzhguese nga kufiri turk, në 24 orët e fundit kanë zbuluar pozicione aktive të DAESH-it në veri të Sirisë nga ku terroristët kishin përgatitur sulme me raketa në Turqi.
Pas kësaj artileria turke me minahedhës me tyta të gjata “Stuhia” dhe raketa të tjera goditi dhe shkatërroi plotësisht këto pozicione.
Forcat ajrore të koalicionit në luftën kundër DAESH-it të udhëhequra nga SHBA-të gjithashtu kanë kryer nëntë sulme ajrore duke goditur pozicionet e DAESH-it në zonën kufitare veriore të Sirisë.
Artileria turke për disa javë nga kufiri monitoron aktivitetet e terroristëve në zonën veriore të kufirit sirian, dhe në përputhje me angazhimin e forcave kufitare godet pozitat nga të cilat në mënyrë të përsëritur janë kryer sulme me raketë në qytetin jugor turk Kilis. Raketat e DAESH-it nga Siria në Kilis kanë vrarë të paktën dy persona dhe kanë plagosur 70 të tjerë.