Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Arvizu: SHBA-të do të zhgënjeheshin nga “JO”-ja e Ramës

Prizren Post | 00:31 - 15.11.2013

TIRANË – Shqipëria tashmë po përballet me një sfidë të madhe të brendshme dhe ndërkombëtare, pasojë e një vendimmarrje që ende nuk është bërë publike, e cila përfshin SHBA-në, OKB-në dhe për më tepër, qeverinë shqiptare.

Në datën 15 Nëntor, pritet të merret vendimi përfundimtar për vendin ku do të demontohen këto armë , ambasadori në largim i SHBA-se në Tiranë, Alexandër Arvizu, ka dhënë një interviste në studion e “Top Story” me gazetarin Sokol Balla pas protestave të para të ndodhura në historinë e vendit përpara Ambasadës Amerikane.

Sokol Balla: Në Shqipëri sa vjen dhe rritet një protestë e madhe e opinionit publik, fillimisht në rrjetet sociale dhe në rrugët e qyteteve kryesore, por ka ndodhur për herë të parë në këto 23 vjet edhe përballë derës së ambasadës tuaj…

Ambasadori Arvizu: Faleminderit që më mirëpritët. Para së gjithash mendoj që protesta para dyerve të ambasadës është një zhvillim pozitiv, që ka qenë një tabu deri më tani. Në përgjithësi tabutë janë të tilla që duhet të thyhen sepse është më e shëndetshme kur thyhen. Sa i përket shoqërisë civile, mendoj që ka një element pozitiv. Kjo flet për rritjen e aktivimit civil që duhet të jetë i tillë, pasi pasqyrohet pjekuri politike në rritje. Sa i përket protestës paqësore jam krenar për këtë.

Sokol Balla: Një sondazh i Top Channel 78 për qind i thonë jo armëve kimike në Shqipëri. 78 për qind thonë jo, sipas jush qeveria duhet të dëgjojë Uashingtonin apo qytetarët?

Ambasadori Arvizu: Para se gjithash nuk mendoj që një njeri duhet të habitet nga këto shifra, sepse nuk është sekrete që armët kimike nuk janë të këndshme. Këto nuk janë gjëra të këndshme. Problemi qëndron që në bazë të asaj që unë kam parë në televizor, ajo shifër ka dezinformim. Ndoshta 10 për qind janë të paqartë sa i përket përmbajtjes dhe 10 për qind ndoshta kanë njohuri nga një pjesë e së vërtetës. Nëse do të kshim më shumë informacion, më shumë informacion të saktë do të shihni që rezultati do të ishte pak më i ndryshëm, duke parë edhe përfitimet që do t’i vinin Shqipërisë.

Sokol Balla: Kjo që thoni ju është interesante, natyrisht sepse çështja e përfitimeve është çështje misterioze, por me këtë situatë, çfarë vendimi do merrte qeveria e SHBA, nëse do të ishte në këtë situatë që është Kryeministri Rama tani?

Ambasadori Arvizu: Nuk mendoj që pozicioni ynë do të ishte kaq i ndryshëm. Do të merrte parasysh konsideratën e brendshme, përgjegjësinë kombëtare dhe detyrimet. Ne jemi vende demokratike dhe çdo vendim që duhet marrë duhet të jetë në konsistencë me ligjet dhe miratimin e Kuvendit. SHBA janë më shumë të federalizuara, ndaj sa i përket pushtetit kjo i përket shteteve në bazë të Kushtetutës.

Sokol Balla: A i keni krijuar ju si SHBA-të qeverisë shqiptare që të përfshihej në listën e vendeve ku lëndët kimike të Assad të bëhet këtu, a ja keni kërkuar ju?

Ambasadori Arvizu: Po e kemi bërë, u jemi qasur disa prej vendeve, për të parë nëse do të ishin të gatshëm dhe në pozitë për të ndihmuar në shkatërrimin e këtyre armëve në përputhje me rezolutën 2118 të Këshillit të Sigurimit dhe në bazë të marrëveshjes SHBA-Rusi që do të bëhej nën patronazhin e Organizatës së Parandalimit të Armëve Kimike.

Sokol Balla: Kur ja kërkuat?

Ambasadori Arvizu: Kjo ka ndodhur disa javë më parë, nuk kam mundësi specifike t’ua them.

Sokol Balla: Cila ka qenë përgjigjja e Ramës kur kjo kërkesë është bërë publike?

Ambasadori Arvizu: Përgjigjja e Ramës ka qenë pozitive në kuptimin që kuptoi kompleksitetin e problemit për faktin që ky është një problem i ndërlikuar ndërkombëtar. Ai ka treguar gatishmërinë për të parë pozitivisht atë që Shqipëria mund të bënte për të kontribuar në një zgjidhje dhe vendimi është i mirëpritur nga SHBA.

Sokol Balla: Ka qenë një “po” e qartë?

Ambasadori Arvizu: Ka qenë një indikacion i qartë i gatishmërisë për të parë tek kapacitetet e Shqipërisë, aftësitë e saj për të kontribuar, pastaj përgjigjja përfundimtare do të ishte po në vetvete.

Sokol Balla: Ju thatë që kërkesa është bërë disa javë më parë, pse iu fsheh publikut?

Ambasadori Arvizu: Ne vazhdojmë t’i referohemi rezulutës së KS dhe ky është një proces shumë i ndërlikuar për ta shpjeguar, që nga verifikimi i agjentëve kimikë që ndodhen në Siri, disa prej tyre ndodhen në zona ku është shumë i vështirë aksesi i tyre, identifikimi i mjeteve të transportit, transportimi i tyre, eliminimi i programit të armëve kimike të Sirisë. Kështu që qartazi këto bisedime janë intensive dhe të ndjeshme. Unë dhe zoti Rama jemi takuar në mënyrë të vazhdueshme duke parë aspektet e ndryshme se cilat ishin kapacitetet e Shqipërisë dhe çfarë është në gjendje të bëjë Shqipëria. Meta e tha shumë mirë që Shqipëria nuk mund të marrë barra më shumë nga ç’mund t’i mbajnë supet.

Sokol Balla: Ju thoni që bisedimet kanë vazhduar. Këto bisedime kanë përfshirë vetëm këto aspekte teknike apo edhe gjëra të tjera?

Ambasadori Arvizu: Sikurse e përmenda më herët, jam kontaktuar dhe pa patur nevojë që të futem në vecanti, ne të gjithë e dimë që brenda NATO-s Shqipëria është njëra nga vendet e varfra dhe kur flitet për ndihmë nga jashtë flitet se ajo do të bëhet me ekspertizën dhe teknologjinë e SHBA, me ekspertët më të mirë në botë, do të jetë një proces i pa të metë, ndaj kjo do të ishte një partneritet mes SHBA dhe Shqipërisë. Cështje të thjeshta si kur do të zhvillohet, varen nga siguria dhe sigurimi, që janë kryesoret dhe më të rëndësishme. Unë kam vendosur flamujt amerikanë dhe shqiptarë sonte si simbolikë. Flasim për amerikanët dhe shqiptarët që të punojnë se bashku. Ne kurrë nuk do të bënim asgjë për të vendosur në rrezik sigurinë dhe mirëqenien e popullit shqiptar. Zoti Rama ka qenë tejet i qartë për mua dhe shqetësimi suprem për të ka qenë mirëqenia dhe siguria e shqiptarëve.

Sokol Balla – Ju thoni që kryeministri Rama ka qenë i shqetësuar mbi të gjitha për mirëqënien e popullit, në të njëjtën kohë që ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar. Nga burime të larta qeveritare dimë që në datën 9 nëntor, vetëm 5 ditë më parë, qeverisë shqiptare iu dorëzua një letër e presidentit Obama, në të cilën Rama personalisht falënderohej për mbështetjen dhe vullnetin e mirë të treguar. E dyta, përfshihej fjalia që vitin tjetër ju mirëpresim në Shtëpinë e Bardhë. A ka qenë një vizitë e Ramës në Uashington, pjesë e negociatave mes dy palëve?

Aleksandër Arvizu – Them se kjo çështje ka një rëndësi kritike për SHBA-në. Përfaqësuesit më të lartë të Shteteve të Bashkuara kanë qenë të përfshirë në pjesë të ndryshme të këtij diskutimi dhe ju e dini që Sekretari i Shtetit, Zoti Kerry ka biseduar me Ramën, ndërsa Zoti Bushati iu referua kësaj në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë, por çështja kryesore për të dy palët ka qenë siguria e procesit. Për shkak të burimeve të kufizuara të Shqipërisë, operacione të kësaj natyre do të ishin një sipërmarrje e vështirë për një qeveri e re, e duke vlerësuar që ka ende sfida që Shqipëria përballet, nga depozitat toksike nga përdorimi ushtarak, industrial e bujqësor në të shkuarën, një element i marrëveshjes së mundshme ka qenë na jepni një listë të këtyre mbetjeve që janë këtu dhe nivelin e toksicitetit të tyre, pasi nëse do të ndërmarrim këtë operacion të Sirisë, ne do të bëjmë më të mirën tonë që të trajtojmë këto zona të nxehta, këto hot-spote që ndodhen tashmë në Shqipëri. Nëse ju do të ndërmerrni këtë pozicion, Shqipëria do të jetë më e pastër dhe e sigurt pasi operacioni të mbaronte se më parë. Kështu që nuk e pranoj argumentin se kjo do të largonte turistët, që do të kthente Shqipërinë në një kosh plehrash, është në të vërtetë e kundërta. Kjo mund të ishte një mundësi e jashtëzakonshme që Shqipëria të kishte ekspertizë në mënyrë që të mund të trajtohej ky problem. /Top Chanel/


Etiketa:
Arivisti Company