Arvizu zhvillon takim me Ramën


E enjte, 27 Qershor 2013

Tiranë, 27 qershor Ambasadori Amerikan, Aleksandër Arvizu, mbërriti në selinë e Partisë Socialiste për të takuar kreun e kësaj partie, Edi Ramën. 

Ai mbërriti në selinë rozë rreth orës 11:00 dhe më pas u drejtua për në zyrën e kreut të PS-së, nga ku zhvilloi takimin me dyer të mbyllura. 

Kjo vizitë vjen pas fitores së koalicionit të majtë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ndërkohë, pas takimit me Ramën, Arvizu do të takojë edhe kreun e LSI-së, Ilir Metën.

Takimi me Metën do të zhvillohet në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mësohet se temë e takimit do të jenë zhvillimet e fundit politike në vend.

Pas takimit që përfundoi rreth orës 11:45 minuta, ambasadori tha se përcolli në këtë seli 2 mesazhe të fuqishme, që sipas tij ishin dhe arsyet e takimeve. 

“Filluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat që diskutuam ishin që të kemi një tranzicion të lehtë të butë dhe e dyta, arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë dhe njëherë angazhimin e fortë të SHBA për Shqipërinë. Ky është mesazhi kyc, SHBA janë partner i Shqipërisë”, u shpreh shkurt Arvizu.

Këto dy takime vijnë pas takimit, që ambasadori amerikan Arvizu, kreu ditën e djeshme me Presidentin e Republikës, Bujar Nishanin. Ai u takua edhe me kryeministrin Sali Berisha.

Etiketa: , , ,
Të fundit