Asfalt për vota!


E mërkurë, 18 Shtator 2013

Kryetarët aktualë të disa  komunave të Kosovës, të cilët garojnë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, kanë ndezur “motorët” ditëve të fundit në realizimin e projekteve infrastrukturore edhe në viset më rurale, duke synuar kështu marrjen e “kokrrave” të këtyre banorëve.

Shumë projekte që nuk janë realizuar për më shumë se tre vjet mandat të këtyre kryetarëve, kanë filluar të realizohen një muaj e gjysmë para organizimit të zgjedhjeve lokale.

Vetëm  gjatë ditës së hënë(16 shtator 2013), Komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga Ramadan Muja, ka përzgjedhur shtatë kompani për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore, përkatësisht rrugë, ujësjellës dhe kanalizim, etj.

Për shkak të rëndësisë që ka kjo komunë për partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, të cilën madje e ka quajtur ky i fundit si Jerusalem i PDK-së, Qeveria është treguar shumë “dorëlirë” në aprovimin e projektit për Prizrenin.

Në ueb faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik(KRRPP) janë publikuar fituesit e tenderëve publikë të komunës që udhëhiqet aktualisht nga Ramadan Muja, i cili po ashtu është kandidat i PDK-së për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Komuna e Prizrenit këto ditë ka shpallur fituesin e tenderit për shenjëzimin horizontal dhe vertikal të rrugëve të qytetit, i cili ka një vlerë prej 150 mijë euro. Kuvendi Komunal i Prizrenit në këtë periudhë paraelektorale ka menduar të ndërtojë kanalizim në Lubizhdë të Hasit, i cili do t’i kushtojë 137 mijë euro, sikurse edhe të ndërtojë rrugë tjera në vendbanimet rurale në vlerë prej 107 mijë euro. Projekte të tilla, sikurse ai edhe në fshatin Billushë, ku do të ndërtohet rruga dhe kanalizimi në një vlerë prej 64 mijë eurosh, janë paraparë edhe në fshatrat tjera të Prizrenit.

“Valles” së Ramadan Mujës i është bashkuar edhe bashkëpartiaku i tij nga Gjilani, Qemajl Mustafa. Ky i fundit ka shpallur fituesin e tenderit prej 434 mijë euro për ndërtimin e rrugës në lagjen “Zabeli i Saiht Agës”, në lagjen “Arbëria” dhe disa rrugë të qytetit të Gjilanit, sikurse edhe do të bëhet meremetimi i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Përlepnicë në një vlerë prej 46 mijë eurosh. Në realizimin e disa projekteve në këtë kohë të “etheve” elektorale kanë menduar edhe kryetaret e kuvendeve komunale nga Peja, Ali Berisha dhe ai i Drenasit, Nexhat Demaku.

Kreu i Organizatës Joqeveritare “Çohu”, Avni Zogiani, thotë se kuvendet komunale u japin në këtë kohë tenderë kompanive që kryesisht janë të lidhura me partinë në pushtet. ”E shoh një lidhje direkte në mes fushatës dhe tenderimit nëpër komuna. Gjithmonë ekziston mundësia e manipulimit të këtyre fondeve në kohë fushatash, pasi që secila punë që fillon dhe mbaron tani është e lidhur për qëllime elektorale, edhe pse punimet kryhen në mënyrë stihike dhe “ad-hoc”, ka thënë Zogiani.

Ngjashëm me të është shprehur edhe Fidan Kalaja nga Lëvizja “Fol”, i cili thotë se numri më i madh i dhënies së kontratave në këtë kohë nga ana e komunave, ka të bëjë kryekëput me fushatën e parakohshme elektorale.” Shpallja e tenderëve në këtë kohë nga komunarët deri diku është edhe e pamoralshme, sepse bëjnë reklamimin e tyre me paranë publike”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse bëjmë një krahasim me vitin e kaluar, atëherë shihet qartë se tash janë dhënë numër më i madh i  tenderëve për ndërtimin e rrugëve , kanalizimit…etj.

Megjithatë, Kalaja tërheq vërejtjen se qytetarët duhet t’i vlerësojnë katër vitet  e qeverisjes së komunarëve dhe jo katër javët e tyre elektorale.

Në anën tjetër, kryetaret e kuvendeve komunale mohojnë që realizimi i projekteve në këtë fazë të ketë ndonjë ndërlidhje me fushatën. Gazeta “Zëri” ka bërë përpjekje që të kontaktojë kryetarin e Prizrenit, Ramadan Mujën dhe atë të Gjilanit, Qemajl Mustafën, porse kjo ka qenë e pamundur, derisa kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, thotë se projektet e tij s’kanë kurrfarë ndërlidhje me  fushatën.

Në komunën e  Pejës është paraparë të asfaltohet rruga në fshatin Krushec në një vlerë prej 54 mije eurosh, sikurse edhe ajo në fshatin Zahaq prej 25 mijë eurosh.

” Janë disa projekte të vogla, por që nuk kanë asnjë ndërlidhje me fushatën”, ka thënë për “Zërin”, Berisha.

Edhe kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku thotë se projektet që do të realizohen deri në fund të këtij viti kanë qenë të planifikuara qysh një vit më parë dhe se nuk janë projekte elektorale.”Vetëm nëse krahasojmë periudhën e vitit të kaluar shihet se nuk kemi numër më të madh të projekteve në këtë kohë. Pra, do të realizohen  projektet që kanë qenë të planifikuara qysh para një viti dhe se ne nuk e kemi ditur se kur do të mbahet zgjedhjet”, ka thënë Demaku.

 

 

Leave a Reply

Të fundit