Ashpërsohet ligji per mbrojtjen e pyjeve


E premte, 31 Korrik 2015

pyjee

Kush guxon të pres pyjet në Shqipëri apo të tentojë t’iu vërë zjarrin do të shkojë në burg. Tashmë me amendimet që do ti bëhen ligjit në shtator, nuk ka më dënime me gjobë por vetëm me burg.

Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri sot gjatë një takimi ku u fol për masat që duhen marrë për të mbrojtur pyjet.

Dhe në kuadër të këtyre masave për herë të parë Shqipëria do të aplikojë një sistem modern për mbrojtjen e pyjeve; atë të monitorimit dhe kontrollit me kamera.

Sistemi është prezantuar sot nga specialistët e Ministrisë së Mjedisit, dhe ky model konsiston në monitorimin elektronik të pyjeve dhe akseve rrugore për të kontrolluar transportimin e druve si dhe në zona të mbrojtura për ti ruajtur nga zjarret apo prerjet e paligjshme, duke identifikuar personat apo grupet e riskut që abuzojnë me pyjet.

“Bashkë me Ministrin, me Kryeministrin kemi rënë dakord që nga shtatori e tutje ne të ndryshojmë, të amendojmà « Kodin Penal, të ashpërsojmë dënimet për ata që presin në mënyrë të paligjshme pyjet dhe nuk do të ketë më gjobë për atë që kapet duke prerë në mënyrë të paligjshme pyjet apo duke transportuar pemë të prera në mënyrë të paligjshme, ka vetëm burg. Ky është qëllimi i amendimit të kodit penal për ta bërë prerjen e paligjshme të pyjeve ashtu siç i takon një vepër penale shumë të rëndë për të cilën autorët duhet realisht të vuajnë dënimin që marrin nga drejtësia,” tha ministri Tahiri.

Ndërsa ministri i Mjedisit Lefter Koka përmendi disa nga zonat dhe pyjet më të prekura nga shkatërrimi si Lura; Prespa, Mali i Skënderbeut etj. Ai tha se dëmi nuk është bërë në këto dy vite, por ka filluar pak nga pak që nga viti 1997 e deri më sot.

“Dëmi në pyje nuk vjen në këto dy vjet, ai ështà « i trashëguar, në shumë vite dhe ku vitet ku unë do ti konsideroja nga më të trishtueshmet kanë qenë ato të 1997-ës ku janë mbi 555 mijë metra kub dru të dëmtuara, pasojnë në 98-ën me 120 mijë metra kub e me radhë ku në totalin e tyre janë rreth 120 mijë hektarë. Sigurisht zonat janë nga më të ndryshmet, por nga më të prekurat do të konsideroja Lurën në Dibër; Prespën; Mali i Skënderbeut; Ballenjë; Shkodër etj, pra të mos ndalem në shifra, këto janë zona që janë dëmtuar në një sipërfaqe nga më të mëdhatë,” tha ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Sistemi i monitorimit të pyjeve me kamera nga specialistët konsiderohet i sigurt, pasi nëse kamera tentohet të vidhet atëherë sistemi jep alarmin dhe menjëherë mund të shkohet dhe të verifikohet se çfarë po ndodh. Sistemi ka avantazhe pasi është i lëvizshëm dhe mund të çmontohet dhe spostohet nga njëra zonë në tjetrën, duke e bërë mjaft fleksibël dhe efektiv. Nga 270 raste të verifikuara deri më tani, 23 raste nuk kanë pasur dokumentacion ligjor, ndaj dhe janë marrë masa në gjoba për sekuestrim të druve.

Sistemi funksionon tani në Tiranë dhe Shkodër. Për monitorimin e zjarreve do të instalohet në ato zona ku rreziku i zjarreve është më i madh. Shqipëria ka humbur shumë sipërfaqe pyjore në 10-vjeçarin e fundit, me gati 8 % më pak (nga 33 % ka rënë në 26 %), dhe renditet në Ballkan dhe Evropë si vendi me më pak pyje momentalisht.

Të fundit